Përfundimi i mandatit, Osmani zbulon lëvizjen pas 4 prillit dhe të ardhmen e saj politike
Vjosa Osmani ka deklaruar se vendimin për të ardhmen e saj politike do ta marrë pas 4 prillit, datë kur i përfundon mandati në krye të shtetit.
Në një intervistë në SYRI TV, Osmani theksoi se çdo hap i saj i ardhshëm do të bazohet vetëm në atë që ajo e konsideron interesin më të madh të Republikës së Kosovës.
Ajo tha se deri në përfundim të mandatit do të vazhdojë ta kryejë detyrën e presidentes me përgjegjësi, ndërsa pas kësaj date do të bëjë një vlerësim të ri për të përcaktuar rrugën e saj politike.
“Unë do ta kryej detyrën time me nder si presidente e Republikës së Kosovës deri më datën 4 prill. Pas kësaj, do ta bëj një vlerësim të ri se çka në momentin konkret është vërtet në interes të Republikës së Kosovës dhe në bazë të këtij dhe vetëm këtij kriteri do ta marr vendimin për rrugën përpara,” tha Osmani.
Presidentja shtoi se vendimi i saj do të varet edhe nga zhvillimet aktuale politike në vend.
“Do ta shoh se cili është interesi më i madh i Republikës së Kosovës në këto momente. Kjo do të determinohet edhe nga zhvillimet e tanishme,” u shpreh ajo.
Osmani u ndal edhe te vendimi i fundit i Gjykata Kushtetuese e Kosovës për një masë të përkohshme lidhur me dekretin për shpërndarjen e Kuvendit, duke theksuar se ky vendim krijon hapësirë për sqarimin e situatës politike.
“Vendimi për masë të përkohshme jep pak kohë për t’u sqaruar gjërat dhe përfundimisht Gjykata do ta marrë vendimin e vet,” tha ajo.
E pyetur nëse do të vazhdojë të jetë aktive në politikë, Osmani nuk dha një përgjigje të prerë, por theksoi se synimi i saj mbetet kontributi për vendin.
“Do ta shoh mundësinë më të mirë që ta ndihmoj Republikën që të ecë përpara. Se cila do të jetë ajo mundësi, varet shumë nga rrethanat. Politika nganjëherë është e paparashikueshme,” deklaroi Osmani.
Ajo nënvizoi se interesi i shtetit duhet të jetë gjithmonë prioritet.
“Duhet ta japim kontributin tonë me tërë qenien tonë dhe ta kemi interesin e vendit si parësor. Kjo është më e rëndësishmja,” përfundoi presidentja.

