75 Mall Live Search
15:00 / E Martë, 10 Mars 2026 / Z S

100 kadetë të rinj i shtohen Shërbimit Korrektues të Kosovës

100 kadetë të rinj korrektues e gardianë i janë shtuar Shërbimit Korrektues të Kosovës.

Kështu ka njoftuar ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, e cila tha se ShKK është një hallkë thelbësore e sistemit të drejtësisë, që garanton zbatimin e ligjit dhe trajtimin me dinjitet të personave të privuar nga liria.

Për kadetët e gardianët e rinj, Gërvalla tha se të njëjtit sjellin energji të re dhe përgjegjësi të madhe në një profesion që kërkon disiplinë, integritet dhe vetëkontroll çdo ditë.

“Ata do të jenë në vijën e parë të garantimit të sigurisë në institucionet korrektuese dhe të zbatimit të ligjit. Roli i tyre shkon përtej ruajtjes së rendit. Çdo ditë ata do të përballen me njerëz që kanë bërë gabime dhe që po përballen me pasojat e tyre. Profesionalizmi, korrektësia dhe mënyra se si zbatohet ligji në këto institucione ndikojnë drejtpërdrejt në mundësinë që ata persona një ditë të rikthehen në shoqëri si qytetarë më të përgjegjshëm të këtij vendi”.

“Në muajt në vijim, kadetët e rinj do të ndjekin një trajnim gjashtëmujor profesional në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike. Ky program i specializuar do t’i pajisë ata me njohuritë dhe aftësitë e nevojshme për përballimin e sfidave të përditshme të këtij profesioni, dhe për përgjegjësinë që bart shërbimi në institucionet korrektuese. Republika e Kosovës në vazhdimësi ka bërë hapa të rëndësishëm në këtë drejtim, gjë që dëshmohet edhe në raportet dhe vlerësimet e Këshillit të Evropës dhe mekanizmave të tjerë ndërkombëtarë që monitorojnë trajtimin e personave të privuar nga liria, dhe ky progres do të vazhdojë përmes forcimit të mëtejmë të institucioneve që garantojnë zbatimin e ligjit dhe funksionimin e drejtësisë”, ka shkruar Gërvalla.