Gashi: Kurti me vetëdije e çoi vendin drejt zgjedhjeve, kishte shumë kandidatë për president
Deputeti i PDK-së, Kujtim Gashi, ka deklaruar se afatet kushtetuese për zgjedhjen e presidentit tashmë kanë përfunduar dhe sipas tij, mazhoranca nuk e ka shfrytëzuar kohën që kishte në dispozicion për t’i dhënë vendit drejtim institucional.
Ai beson që presidentja ka vepruar në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, e cila parasheh që në rast se presidenti nuk zgjidhet 30 ditë para përfundimit të mandatit të presidentit aktual, vendi shkon në zgjedhje.
“Mendojmë që afatet kushtetuese për zgjedhjen e presidentit kanë përfunduar dhe mazhoranca partia fituese e zgjedhjeve nuk e ka shfrytëzuar kohën që e ka pasur në dispozicion për me i dhënë vendit drejtim, po besoj që presidentja ka vepruar sipas asaj që parasheh Kushtetuta e Kosovës në rastin kur presidenti nuk zgjidhet 30 ditë para përfundimit të mandatit të presidentit aktual dhe aty thuhet qartë që vendi shkon në zgjedhje”, ka deklaruar Gashi në emisionin “Mesditë” në Tëvë1.
Gashi tha se PDK nuk ka menduar se Kosova është dashur të shkojë në zgjedhje, pasi sipas tij nuk ka pasur arsye për një situatë të tillë.
Sipas Gashit, kryeministri Albin Kurti me vetëdije e ka çuar vendin drejt një situate të paqartë dhe zgjedhjeve.
“PDK nuk mendon që është dashur Kosova të shkojë në zgjedhje, nuk ka pasur asnjë arsye, gjithmonë jemi të gatshëm me iu përgjigj zgjedhjeve, megjithatë as s’kemi qenë të interesuar. S’mund të ketë emër konsensual nëse i njëjti propozohet prej partisë në pushtet, ne kemi pasur qëndrim të qartë për një anëtar të familjes Jashari dhe i kemi dhënë mbështetje të fuqishme. 22 votat e PDK-së kanë qenë për, mendojmë që figura e familjes Jashari do të ishte përtej partive politike. Kryeministri Kurti me vetëdije e ka quar vendin në një situatë të paqartë dhe drejt zgjedhjeve, sepse jam i bindur që ka pasur më shumë se dhjetë kandidatë që ka mundur me iu ofrua kësaj legjislature përfshirë edhe presidenten aktuale për të cilën LDK-ja nuk ka qenë kundër”, ka theksuar ai.

