75 Mall Live Search
14:17 / E Enjte, 12 Mars 2026 / KV

Policia: Kampi “Enver Zymeri” i plotëson të gjitha kushtet e nevojshme

Policia e Kosovës sqaron opinionin publik se pamjet e publikuara se fundi rreth kampit “Enver Zymeri” nuk paraqesin gjendjen reale:

Kampi “Enver Zymeri” i plotëson kushtet e nevojshme për zhvillimin e të gjitha aktiviteteve policore, përfshirë qëndrimin e zyrtarëve policorë në kamp, zhvillimin e aktiviteteve policore e trajnuese dhe atyre logjistike.

Gjendja dhe kushtet e kampit janë krejtësisht ndryshe dhe ndjeshëm më të përmirësuara, falë investimeve të bëra në vazhdimësi. Janë plot 12 projekte investuese të cilat janë realizuar në vitet e fundit në kamp dhe të tjera të cilat janë në proces duke u realizuar.

Fotografitë e publikuara nga portali janë disa pjesë të hapësirave jofunksionale dhe të lëna jashtë përdorimit, pasi janë zëvendësuar me hapësira, objekte dhe lokacione të reja. Andaj, pamjet e publikuara, kurdo që janë incizuar ato, janë sulm që po i bëhet Policisë së Kosovës, si dhe publikim i papërgjegjshëm dhe në shpërputhje me faktet dhe kushtet në terren. Kampi “Enver Zymeri” po goditet pikërisht sepse në të është investuar dhe sepse dihet që çdo aktivitet apo informatë nga brenda kampit është me ndjeshmëri të lartë dhe nuk mund të ndahen detaje më të thellësishme.

Iu bëjmë thirrje qytetarëve të Republikës së Kosovës, që të mos bien pre e këtij manipulimi.

Policia e Kosovës (PK) i kushton kujdes të vazhdueshëm mirëmbajtjes dhe krijimit të kushteve për punë dhe veprime policore, për të gjithë zyrtarët e saj. Një kujdes të veçantë i kushton krijimit të kushteve dhe ambientit edhe për njësitet speciale operative të PK-së.

Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar ndaj transparencës dhe informimit të saktë të publikut, andaj u bëjmë thirrje mediave dhe qytetarëve që të mbështeten në burime zyrtare dhe të verifikuara para se të shpërndajnë informacione që lidhen me çështje të sigurisë dhe të policisë. Policia e Kosovës do të vazhdojë të kryejë detyrën e saj me profesionalizëm dhe në përputhje me mandatin kushtetues dhe ligjor.