Alonso trajner i Liverpulit? Përgjigjet agjenti i spanjollit
Shumë është spekuluar për të ardhmen e trajnerit Xabi Alonso dhe së fundmi zërat e merkatos e shihnin spanjollin tel Liverpool.
Por kthimi i tij në Anfiled për të zëvendësuar Arne Slot nuk është i garantuar me Xabi Alonson që po studion ende oferta të ndryshme. Ai që mohoi zërat për arritjen e marrëveshjes së ish trajnerit të Realit të Madridit me Liverpool ishte vetë agjenti i Xabi Alonsos, Iñaki Ibáñez
‘Gjithçka që flitet për një marrëveshje me Liverpoolin janë vetëm spekulime mediatike-tha Inaki Ibanez-ai po studion të gjitha ofertat që ka marrë për të vendosur më pas se cili do të jetë destinacioni i tij sezonin e ardhshëm’. Një deklaratë kjo që do të thotë se Xabi Alonso nuk do të kthehet në pankinë për pjesën e mbetur të këtij sezoni.
Nëse Ibanez bëri një qartësim të situatës, tensioni në një farë mënyrë duket se vazhdon të rritet te Liverpool që këtë sezon nuk ka përjetuar shumë kënaqësi pasi shpenzoi 482 milionë euro në blerje futbollistësh në muajt e verës së kaluar. Skuadra e The Reds aktualisht është në vendin e 6 të klasifikimit në Premier League dhe gjatë kësaj javë humbi me Galatasaray 1-0 në ndeshjen e parë në 1/8 e finaleve të Ligës së Kampioneve, gjë që ka krijuar më shumë dyshime sesa siguri në lidhje me qëndrimin e Slot në pankinën e Liverpool sezonin e ardhshëm. Megjithatë te skuadra angleze jo gjithçka është e humbur, pasi ka ende shanse për të fituar FA Cup ku në çerekfinale në 4 prill do të përballet me Manchester City.
Kështu kthimi iu Xabi Alonsos këtë sezon në pankina duket e pamundur, duke parë edhe kalendarin futbollistik sidomos në Premier League kur kanë mbetur edhe 9 javë për t’u luajtur dhe ku Liverpool është 19 pikë prapa Arsenalit kryesues.
Pavarësisht shijes së hidhur që la drejtimi i Alonsos te Reali i Madridit ku nuk mundi të mbyllë sezonin e tij të parë dhe ku u shkarkua një ditë pas humbjes në finalen e Superkupës së Spanjës ndaj Barcelonës, profili i tij vazhdon të ngjallë shumë interes teksa mbahet në mendje fitorja e tripletës në Gjermani me Bayer Leverkusen, Kampionat, Kupë dhe Superkupë gjermane.

