Mbi 38 mijë lodra ndalohen në doganë, Inspektorati: Nuk i përmbushnin standardet e sigurisë
Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut ka zhvilluar një aksion të gjerë të mbikëqyrjes dhe inspektimit të lodrave për fëmijë, me qëllim garantimin e sigurisë së produkteve që vendosen në tregun e brendshëm dhe mbrojtjen e konsumatorëve, me fokus të veçantë në sigurinë dhe shëndetin e fëmijëve.
Sipas njoftimit, në kuadër të këtij aksioni janë realizuar kontrolle të shtuara si në tregun e brendshëm ashtu edhe në zonat doganore, për të parandaluar hyrjen dhe qarkullimin e lodrave që nuk përmbushin standardet e kërkuara të sigurisë, të përcaktuara në Rregullorja Nr. 02/2017 për Sigurinë e Lodrave.
Si rezultat i inspektimeve në zonat doganore, janë ndaluar mbi 38 mijë copë lodra për fëmijë, me vlerë rreth 100 mijë euro, pasi nuk i plotësonin kërkesat ligjore për sigurinë e produkteve dhe nuk posedonin dokumentacionin e nevojshëm për t’u vendosur në tregun e brendshëm.
Ndërkohë, gjatë kontrolleve në tregun e brendshëm, inspektorët kanë sekuestruar edhe mbi 2,547 copë lodra për fëmijë, për të cilat është konstatuar se nuk i përmbushnin standardet e sigurisë.
Inspektorati thekson se siguria e konsumatorëve, veçanërisht e fëmijëve, mbetet një nga prioritetet kryesore të institucionit. Përmes këtyre aksioneve synohet që në treg të qarkullojnë vetëm produkte të sigurta dhe në përputhje me standardet ligjore, duke kontribuar në mbrojtjen e shëndetit dhe mirëqenies së qytetarëve.
Inspektorati bënë të ditur se kontrollet dhe aksionet e ngjashme do të vazhdojnë edhe në të ardhmen, ndërsa operatorët ekonomikë ftohen të respektojnë plotësisht kërkesat ligjore dhe standardet e sigurisë për produktet që vendosin në treg./IndeksOnline/

