Zbardhet dëshmia, çka deklaroi Hande para autoriteteve turke?
Aktorja e njohur turke Hande Erçel ka dalë me një reagim publik pas lajmeve dhe aludimeve që kanë qarkulluar në media për përfshirjen e saj në aktivitete të dyshimta, transmeton IndeksOnline.
Në dëshminë e saj, ajo i ka mohuar kategorikisht këto pretendime, duke theksuar se jeta e saj është e përqendruar te karriera dhe arsimi. Ajo ka bërë të ditur se “aktualisht vazhdoj studimet në Universitetin e Arteve të Bukura ‘Mimar Sinan’. Nuk kam jetë nate. Merrem me aktrim”, duke sqaruar gjithashtu se vizitat e saj në ambiente të caktuara kanë qenë të kufizuara dhe vetëm për takime pune.
Erçel ka theksuar më tej se nuk ka asnjë lidhje me personat apo ngjarjet e përfolura, duke u shprehur se “nuk kam marrë pjesë në asnjë festë apo event privat… nuk njoh asnjë person të përmendur në dosje”.
Sa i përket aludimeve për përdorim të substancave të ndaluara, ajo është shprehur prerë: “në asnjë periudhë të jetës sime nuk kam përdorur substanca të tilla”, ndërsa ka mbrojtur edhe partnerin e saj, Hakan Sabancı, duke theksuar se as ai nuk ka qenë i përfshirë në situata të tilla.
Në fund, aktorja ka shprehur keqardhje për përmendjen e emrit të saj në këtë çështje, duke nënvizuar përgjegjësinë që ndjen ndaj publikut dhe duke deklaruar se prej vitesh përpiqet të ruajë një imazh të pastër dhe të jetë shembull pozitiv.

