75 Mall Live Search
09:52 / E Hënë, 30 Mars 2026 / S Z

Ja kujt nuk i takon paga 13-të e plotë, sqaron ministri Murati

Qeveria e Kosovës në mbeldhjen e mbajtur a aprovuar propozim-vendimin për dhënien e pagës së 13-të për të gjithë punonjësit që paguhen nga Buxheti i Republikës së Kosovës.

Ministri i Financave Hekuran Murati, ka thënë se përveç atyre që kanë punuar 12 muajt e kaluar në sektorin publik, do të ndahet page e pjesshme edhe për ata që nuk kanë përmbushur plotësisht 12 muaj punë në sektorin publik.

Sipas tij, të gjithë ata që kanë përmbushur 12 muaj të plotë pune në sektorin publik do ta marrin pagën e 13-të të plotë. Ndërsa ata që nuk kanë një vit të plotë pune, do të përfitojnë një shumë proporcionale, në varësi të muajve sa kanë qenë të angazhuar.

Murati shpjegoi se në raste të tilla është rënë dakord me Thesarin që pagesa të bëhet në mënyrë të drejtë, duke llogaritur pjesën përkatëse për secilin muaj pune.

Ai shtoi se e njëjta praktikë vlen edhe për punonjësit me orar të pjesshëm, ku paga e 13-të llogaritet mbi bazën e mesatares së pagës së përfituar gjatë 12 muajve të fundit.

Ministri bëri të ditur gjithashtu se gratë në pushim të lehonisë do të trajtohen sikur të kenë qenë në punë me orar të plotë, në mënyrë që të përfitojnë pagën e 13-të të plotë.

Në fund, ai sqaroi se personat që janë të suspenduar, qoftë aktualisht apo më herët gjatë vitit, nuk do të përfshihen në listën e përfituesve të kësaj pagese.