Ademi pret delegacionin turk, i dhurohet një fanellë
Na ndan një ditë nga ndeshja historike e finales së play-offit mes Kosovës dhe Turqisë.
Ndërsa gjatë mbrëmjes së sotme, presidenti i FFK-së, Agim Ademi priti në darkë delegacionin turk i kryesuar nga presidenti i Federatës të Futbollit të Turqisë, Ibrahim Ethem Hacıosmanoğlu si dhe disa delegatë nga UEFA dhe FIFA.
Ademit, madje ju dhurua dhe një fanellë e Kombëtares së Turqisë.
“Në prag të finales së madhe të “play-off”-it për kualifikim në Kupën e Botës 2026, ndërmjet Kosovës dhe Turqisë, pata kënaqësinë të mirëprisja në një darkë tradicionale delegacionin e lartë të Federatës Turke të Futbollit, të kryesuar nga presidenti İbrahim Ethem Hacıosmanoğlu. Pjesë e kësaj darke ishin edhe personalitete të shquara të futbollit ndërkombëtar, si Servet Yardımcı, ish-anëtar i KE të UEFA-s, Marcelo Balboa, Legjendë e FIFA-s, si dhe përfaqësuesit e FIFA-s, Ben O’Neill e Richard van Poortvliet, por dhe mysafirë tjerë nga Turqia. Kjo mbrëmje në prag të kësaj ndeshjeje historike rikonfirmoi lidhjet e forta dhe vlerat e përbashkëta që na bashkojnë në rrugëtimin tonë. Me respektin më të lartë për miqtë nga Turqia dhe me dëshirë për një lojë ‘fair-play’ dhe spektakël, uroj që festa e nesërme t’u takojë Dardanëve. Kupa e Botës ka qenë ëndrra e shumë gjeneratave dhe një arritje e tillë do të përbënte promovimin më të madh ndërkombëtar për Kosovën. Forca Kosovë, të priftë e mbara”, shkruhet në postimin e Ademit.
Ndeshja luhet nesër, në “Fadil Vokrri” me fillim në orën 20:45./IndeksOnline/

