Bilionerja Kim Kardashian kërkon 145 mijë dollarë, paditësi përballet me një skenar fatal
Një burrë që humbi gjyqin kundër Kim Kardashian po i kërkon gjykatës që të mos e detyrojë të paguajë shpenzimet ligjore të saj, të cilat arrijnë në rreth 145 mijë dollarë, shkruan TMZ, transmeton IndeksOnline.
Sipas dokumenteve gjyqësore, Ivan Cantu kishte paditur Kardashian pasi ajo kishte publikuar në rrjetet sociale një postim për një person me të njëjtin emër, i dënuar për vrasje dhe në pritje të ekzekutimit. Në atë postim, Kardashian kishte bërë thirrje që ekzekutimi të pezullohej.

Cantu pretendoi se Kardashian kishte përdorur gabimisht fotografinë e tij, duke i shkaktuar shqetësim emocional dhe dëme. Nga ana tjetër, avokatët e saj argumentuan se bëhej fjalë për një gabim të thjeshtë, i cili u korrigjua menjëherë sapo u konstatua.
Një gjykatës federal vendosi në favor të Kardashian dhe hodhi poshtë padinë. Më pas, ajo kërkoi nga gjykata që Cantu të paguante shpenzimet ligjore të saj.
Në kërkesën e tij të fundit, Cantu thekson se Kardashian është rritur në pasuri dhe luks, duke shtuar se ajo ka një pasuri të konsiderueshme dhe të ardhura të mëdha nga rrjetet sociale. Ai argumenton se nuk ka mundësi financiare për të përballuar një faturë kaq të lartë dhe se detyrimi për ta paguar do ta rrënonte ekonomikisht.

