Popullsia e BE-së drejt tkurrjes: rënie me 12% deri në vitin 2100 dhe plakje e theksuar demografike
Popullsia e Bashkimit Evropian pritet të pësojë një rënie të ndjeshme deri në fund të shekullit. Sipas projeksioneve të fundit, numri i banorëve do të bjerë nga 452 milionë në vitin 2025 në rreth 399 milionë në vitin 2100, një ulje prej 53 milionë banorë ose 11.7%. Në të njëjtën kohë, struktura demografike do të ndryshojë ndjeshëm, me një në tre evropianë që do të jetë mbi moshën 65 vjeç.
Megjithatë, këto ndryshime nuk do të jenë të njëjta në të gjitha vendet, sipas burimit Euronews Health. Nga 30 shtete evropiane të analizuara, 18 pritet të përjetojnë rënie të popullsisë, ndërsa 12 të tjera do të kenë rritje.
Vendet me tkurrjen më të madhe përfshijnë Letoninë, Lituaninë, Poloninë dhe Greqinë, ku popullsia mund të bjerë me mbi 30%.
Rënie të konsiderueshme, mbi 20%, priten edhe në Bullgari, Kroaci, Sllovaki, Rumani, Itali dhe Hungari. Kjo nënkupton humbjen e rreth një të katërtës së popullsisë në disa prej këtyre vendeve.
Në anën tjetër, disa shtete të vogla pritet të rriten ndjeshëm, si Luksemburgu, Islanda dhe Malta, me rritje mbi 25%. Gjithashtu, Zvicra, Irlanda, Norvegjia dhe Suedia parashikohet të kenë rritje mbi 10%, transmeton Gazeta Shneta.
Ekspertët theksojnë se dallimet mes vendeve lidhen kryesisht me migracionin.
Shtetet që kanë përjetuar emigrim të lartë dhe norma të ulëta lindshmërie kanë struktura të grupmoshave më të plakura dhe më pak të rinj.
Ndërkohë, vendet që tërheqin imigrantë mund të ruajnë ose rrisin popullsinë, edhe në kushte të lindshmërisë së ulët.
Tre faktorë kryesorë ndikojnë në këto zhvillime: lindshmëria, vdekshmëria dhe migracioni.
Sipas studiuesve, lindshmëria aktuale nuk mjafton për të ruajtur madhësinë e popullsisë, ndërsa dallimet në vdekshmëri janë relativisht të vogla.
Prandaj, migracioni mbetet faktori kyç për rritjen demografike në Evropë.
Ndër ekonomitë më të mëdha të BE-së, Spanja është i vetmi vend që pritet të ketë rritje të lehtë të popullsisë deri në vitin 2100.
Franca pritet të mbetet relativisht stabile, ndërsa Gjermania dhe sidomos Italia do të përballen me rënie më të theksuar.
Përveç tkurrjes, Evropa do të përballet edhe me plakje të shpejtë të popullsisë.
Numri i personave mbi 85 vjeç do të trefishohet, ndërsa grupmoshat më të reja do të zvogëlohen.
Popullsia në moshë pune do të bjerë ndjeshëm, duke krijuar sfida serioze për ekonominë dhe sistemet sociale në të ardhmen. /Gazeta Shneta/

