Prokuroria autorizon policinë për ta hetuar ndotjen e ajrit nga KEK-u
Prokuroria Themelore në Prishtinë, përkatësisht departamenti i përgjithshëm, njofton opinionin publik se ka pranuar informacione dhe një videoincizim, mbi bazën e të cilave ekzistojnë dyshime për ndotje të ajrit përmes tymit që po shkaktohet nga oxhaku në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK), në Komunën e Obiliqit.
Në lidhje me këtë rast, prokurori i shtetit ka autorizuar Policinë e Kosovës që të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore, me qëllim të verifikimit dhe sigurimit të provave relevante.
Rasti është duke u trajtuar në drejtim të veprës penale ‘’Ndotja, degradimi ose shkatërrimi i mjedisit’’, sipas nenit 338 të kodit penal të Republikës së Kosovës.
Prokuroria Themelore në Prishtinë, mbetet e përkushtuar në mbrotjen e mjedisit dhe garanton se do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme ligjore për zbardhjen e plotë të kësaj çështjeje.

