Prokuroria e Pejës bashkon institucionet për trajtimin efikas të rasteve të dhunës në familje
Prokuroria Themelore në Pejë ka mbajtur një takim të përbashkët me përfaqësues të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare, lidhur me trajtimin e rasteve të dhunës në familje.
Takimi u udhëhoq nga kryeprokurorja e Prokurorisë Themelore në Pejë, Lumturije Vucetaj, së bashku me koordinatoren për rastet e veprave penale të “Dhunës në familje”, zëvendës-kryeprokuroren Arlinda Nallbani-Gacaferri.
Në këtë takim morën pjesë përfaqësues të Gjykatës Themelore në Pejë, Policisë së Kosovës, Mbrojtësi i viktimave, Qendrave për Punë Sociale, Strehimores, Spitalit Rajonal të Pejës, ekspert psikolog si dhe përfaqësues të misioneve ndërkombëtare EULEX dhe OSCE në Kosovë.
Gjatë takimit u diskutua për trajtimin e rasteve të dhunës në familje, identifikimin dhe evitimin e mangësive ekzistuese, si dhe për forcimin e hallkave të bashkëpunimit institucional me qëllim rritjen e efektivitetit dhe efikasitetit në trajtimin e këtyre rasteve.
Po ashtu, u shqyrtuan propozime për shqiptimin e dënimeve plotësuese për rastet e dhunës në familje, në përputhje me ndryshimet e fundit në Kodin Penal të Republikës së Kosovës.
Prokuroria Themelore në Pejë, në bashkëpunim me të gjitha institucionet relevante, mbetet e përkushtuar në rritjen e bashkëpunimit dhe bashkërendimit ndërinstitucional për parandalimin e rasteve të dhunës në familje, ofrimin e mbrojtjes dhe kujdesit për viktimat, si dhe vënien para drejtësisë të të gjithë atyre që ushtrojnë dhunë.

