KQZ hap tender për shërbime të transportit ajror në vlerë prej mijëra eurosh
Pak ditë para zgjedhjeve të parakohshme, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka hapur tender për shërbime të transportit ajror, me vlerë të parashikuar prej 60 mijë eurosh, shkruan IndeksOnline.
Sipas njoftimit të publikuar nga E- prokurimi, kontrata kornizë do të ketë kohëzgjatje prej 36 muajsh.

Në dokument janë përcaktuar edhe kriteret e përshtatshmërisë për operatorët ekonomikë që synojnë të aplikojnë në këtë tender. Ndër kërkesat kryesore janë deklarata nën betim e nënshkruar dhe e vulosur nga operatori ekonomik, si dhe vërtetimet nga Administrata Tatimore dhe Gjykata kompetente, të cilat duhet të dorëzohen nga tenderuesi fitues para publikimit të dhënies së kontratës.

KQZ ka bërë të ditur se, në rast të mosdorëzimit të dokumenteve të kërkuara, tenderi i operatorit ekonomik do të refuzohet dhe institucioni do të vazhdojë procedurat me tenderuesin e radhës në listë.
Afati i fundit për pranimin e tenderëve dhe aplikacioneve është caktuar data 20 maj 2026.
Sipas informacioneve të publikuara, nevoja për këtë kontratë lidhet me faktin se KQZ tashmë ka hyrë në proces zgjedhor, ndërsa kontrata ekzistuese për shërbime të transportit ajror është afër shpenzimit të sasive të planifikuara./IndeksOnline/

