75 Mall Live Search
15:30 / E Hënë, 11 Maj 2026 / AR

Ish-i i Kimit hedh ‘bombën’ për YE-në

Nëse mendonit se konflikti mes Pete Davidson dhe Kanye West i përkiste së shkuarës, mendoheni edhe një herë.

Komediani Pete Davidson sapo i ka hedhur benzinë zjarrit me një deklaratë që pritet të shkaktojë reagime të shumta.

Gjatë mbrëmjes së të dielës në “Kia Forum” në Los Anxhelos, Davidson u ngjit në skenë për të ironizuar Kevin Hart-in, por nuk la pa shënjestruar edhe emra të tjerë si Tony Hinchcliffe, Lizzo dhe, natyrisht, Kanye West.

Me një goditje të drejtpërdrejtë “nën brez”, Pete u shpreh:

“Kam qenë në një konflikt me Kanye-n, kështu që jam mësuar të marr goditje nga nazistë gej më të mirë se ai.”

Kjo deklaratë e fortë ishte një ironi e hapur ndaj reperit, i cili prej vitit 2022 ka shkaktuar polemika të mëdha për deklaratat e tij pro Hitlerit dhe nazizmit.

Edhe pse së fundmi Kanye kërkoi falje publike për komentet antisemite — madje duke blerë një faqe të plotë në “Wall Street Journal” për të shprehur pendesën — Davidson duket se nuk ka ndërmend t’ia harrojë.

Kujtojmë se përplasja mes tyre nisi në vitin 2022, kur Pete Davidson ishte në një lidhje me ish-bashkëshorten e reperit, Kim Kardashian.

Në atë kohë, Kanye e sulmoi vazhdimisht komedianin në rrjetet sociale, duke i vënë nofkën fyese “Skete” dhe duke publikuar klipe muzikore ku shfaqej duke ushtruar dhunë ndaj një figure që ngjante me Pete.