75 Mall Live Search
18:16 / E Martë, 12 Maj 2026 / MSH1

UBT vulos suksesin historik, akreditohet nga Cambridge, ndër institucionet më prestigjioze arsimore në botë

UBT International Smart Schools ka shënuar një arritje madhore për arsimin në Kosovë, duke u akredituar nga Cambridge International Education, një nga institucionet më prestigjioze globale në arsimin parauniversitar.

Ky sukses i jashtëzakonshëm vjen në kohën kur UBT International Smart Schools ka hapur zyrtarisht kampanjën e sivjetshme të regjistrimeve, duke forcuar edhe më shumë pozitën si një prej institucioneve më inovative dhe moderne të arsimit në vend dhe rajon.

Akreditimi u mundëson shkollave implementimin e programeve dhe kualifikimeve ndërkombëtare Cambridge në Kosovë, duke u ofruar nxënësve një rrugëtim akademik sipas standardeve më të larta britanike dhe globale.

Përmes këtij bashkëpunimi prestigjioz, nxënësit do të kenë mundësi të ndjekin sistemin e njohur ndërkombëtarisht “Cambridge Pathway”, i cili përfshin: Cambridge Primary, Cambridge Lower Secondary, Cambridge IGCSE dhe Cambridge International AS & A Levels.

Programet e Cambridge International Education njihen globalisht për standardet e larta akademike, metodologjinë moderne të mësimdhënies dhe përgatitjen e nxënësve për universitetet më prestigjioze në botë.

Me këtë rast, rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, theksoi se ky akreditim krijon një model modern edukimi për të rinjtë në Kosovë.

“Kjo krijon një model modern edukimi që u jep të rinjve në Kosovë njohuri sipas standardeve ndërkombëtare, aftësi globale, kualifikime të njohura botërisht dhe mundësi më të mëdha akademike e profesionale. Qëllimi ynë është që të rinjtë në Kosovë të kenë qasje në të njëjtat standarde akademike që ndjekin nxënësit në shkollat më të mira ndërkombëtare”, tha Rektori Hajrizi, transmeton IndeksOnline.

Me numër rekord të interesuarish për regjistrimet e hershme, si dhe me integrimin e plotë të inteligjencës artificiale në kurrikula, UBT International Smart Schools po vazhdon të vendosë standarde të reja në transformimin e arsimit modern në Kosovë dhe rajon.