75 Mall Live Search
09:49 / E Enjte, 14 Maj 2026 / KV

Gjykata shpall fajtorë dy të akuzuarit për korrupsion në Pallatin e Rinisë, dëmi mbi 100 mijë euro

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka mirëpritur vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë për shpalljen fajtorë të Astrit Zogianit dhe Faton Rrustemit, të akuzuar në rastin e korrupsionit në Pallatin e Rinisë në Prishtinë.

Sipas njoftimit të Prokurorisë Speciale, ky vendim konsiderohet një hap i rëndësishëm drejt forcimit të sundimit të ligjit, llogaridhënies dhe integritetit institucional.

“Prokuroria Speciale mbetet e përkushtuar në luftimin e korrupsionit dhe që çdo keqpërdorim i detyrës zyrtare të trajtohet në përputhje me ligjin”, thuhet në reagimin e PSRK-së.

Ndryshe, në seancën fillestare të mbajtur të martën në Gjykatën Themelore në Prishtinë, Astrit Zogiani, në cilësinë e menaxherit të financave dhe Faton Rrustemi, përgjegjës i sigurimit në Pallatin e Rinisë, kishin pranuar fajësinë lidhur me akuzat për korrupsion.

Sipas prokurorisë, dëmi i shkaktuar në këtë rast arrin mbi 107 mijë euro.

Astrit Zogiani akuzohej për veprat penale: “Përvetësim në detyrë” dhe “Keqpërdorim i detyrës zyrtare”, ndërsa Faton Rrustemi për “Ndihmë në kryerjen e veprës penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare”.

Gjatë seancës, Zogiani kishte deklaruar se e pranon fajësinë dhe kishte shprehur keqardhje për veprimet e tij, duke thënë se në kohën e kryerjes së veprës kishte qenë në gjendje të rëndë emocionale.

Ndërkohë, për Faton Rrustemin ishte arritur marrëveshje për pranim të fajësisë me Prokurorinë Speciale, marrëveshje e cila u aprovua nga gjykata.

Pala e dëmtuar, “Pallati i Rinisë”, kishte kërkuar kompensim të dëmit material në shumën prej 107 mijë e 675 euro e 21 centësh.