UNDP bashkon të rinjtë kreativë dhe bizneset në një vend
UNDP në Kosovë ka organizuar një ngjarje rrjetëzimi për të festuar suksesin e të rinjve që ishin pjesë e Programit të Praktikës, në kuadër të projektit për Industritë Kreative.
Në këtë aktivitet morën pjesë të rinjtë, bizneset në fushat kreative, organizata joqeveritare, si dhe përfaqësues të universiteteve publike dhe private që kontribuuan në identifikimin dhe përfshirjen e talenteve të reja.
Gjatë ngjarjes, të rinjtë ndanë përvojat e tyre lidhur me aftësitë e fituara, sfidat e tejkaluara dhe eksperiencat që kanë ndikuar në zhvillimin e tyre profesional. Ndërkohë, kompanitë dhe organizatat pjesëmarrëse folën për vlerën dhe energjinë që të rinjtë kreativë sollën në ekipet dhe vendet e tyre të punës.
Kjo iniciativë ka krijuar qindra përvoja të reja, lidhje dhe mundësi për të rinjtë, duke ndihmuar në afrimin e profesionistëve të rinj me sektorin kreativ në zhvillim.
Ky program është zbatuar në partneritet me UN Volunteers, në kuadër të Projektit për Industritë Kreative, i financuar nga Qeveria e Dukatit të Madh të Luksemburgut, me synim zhvillimin dhe fuqizimin e industrive kreative lokale.

