75 Mall Live Search
13:00 / E Martë, 19 Maj 2026 / P M

FSK-ja thellon bashkëpunimin me SHBA-në, diskutohen planet për të ardhmen dhe NATO-n

Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant Bashkim JASHARI priti në një takim zëvendësshefin e J5/8 të Komandës Evropiane të Shteteve të Bashkuara (USEUCOM J5/8), gjeneralbrigade Chris A. McKinney.

Fillimisht, të dy gjeneralët diskutuan për bashkëpunimin e deritashëm ndërmjet Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe Komandës Evropiane të Shteteve të Bashkuara si dhe nevojën për rritjen e këtij bashkëpunimi në të ardhmen.

Pastaj, gjeneral Jashari e njoftoi gjeneralin McKinney për zhvillimet dhe të arriturat e FSK-së duke u fokusuar edhe në planet për të ardhmen që synojnë realizimin e aspiratave për anëtarësim në NATO.

Gjithashtu, të dy gjeneralët vlerësuan kontributin e FSK-së në kuadër të Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese për Gazën (ISF), ku së shpejti pritet të dislokohet kontingjenti i parë nga FSK-ja.

Në fund të takimit, gjeneral McKinney falënderoi gjeneral Jasharin për bashkëpunimin dhe lidershipin e tij gjatë kësaj kohe ku FSK-ja është në fazën finale të PGJT-së, si edhe ritheksoi përkushtimin e USEUCOM-it për ta mbështetur FSK-në në të ardhmen.