Kurti, në gala mbrëmjen e AKA-së: Cilësia në arsim është forma më e lartë e patriotizmit
Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në gala mbrëmjen e organizuar nga Agjencia e Kosovës për Akreditim me rastin e njohjes zyrtare nga Këshilli për Akreditimin e Arsimit të Lartë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Me këtë rast, kryeministri në detyrë tha se kjo njohje e bën Kosovën eksportuese dhe garantuese të arsimit të lartë në hemisferën perëndimore, ndërsa shtoi se ajo erdhi pas një procesi të gjatë reformash, vlerësimesh dhe verifikimesh profesionale nga një prej mekanizmave më kredibilë të akreditimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Përmes kësaj njohjeje, Kosova po flet gjuhën universale të cilësisë, besueshmërisë dhe dijes. Kjo është hyrje në një përgjegjësi të madhe: që universitetet tona duhet të prodhojnë mendje të lira, profesionistë të zotë dhe qytetarë që e bëjnë shtetin më të mirë se dje.
Rruga drejt botës së zhvilluar kalon përmes laboratorëve, auditoriumeve, kërkimit shkencor dhe standardeve që fitojnë besim. Përveç për tregun e punës, arsimi i lartë përgatit, mbi të gjitha, për lirinë e mendimit dhe hulumtimin shkencor”, theksoi ai.

