75 Mall Live Search
18:50 / E Enjte, 21 Maj 2026 / Z S

Ekskluzive/ Blerta Basholli flet pas suksesit në Cannes, zbulon emocionet dhe mesazhin e fuqishëm të ‘DUA’

Regjisorja kosovare Blerta Basholli ka folur ekskluzivisht për Indeksonline pas suksesit të filmit “DUA”, i cili fitoi çmimin SACD në Cannes Film Festival.

Ajo e cilësoi këtë vlerësim si një moment shumë emocional dhe të veçantë, jo vetëm për të personalisht, por edhe për gjithë ekipin që ka punuar për realizimin e filmit.

“Ishte një moment shumë emocional dhe i veçantë për mua dhe gjithë ekipin. Kur punon me vite në një film, shpesh me shumë sfida e sakrifica, një vlerësim i tillë të jep ndjesinë që historia ka arritur tek njerëzit,” tha Basholli. Sipas saj, vlerësimi në një festival prestigjioz si Cannes dëshmon se historitë nga Kosova mund të prekin publikun ndërkombëtar.

Duke folur për frymëzimin pas filmit “DUA”, Basholli tregoi se ka qenë gjithmonë e interesuar të eksplorojë ndikimin që lufta dhe konfliktet kanë tek të rinjtë, sidomos tek ata që ende po formojnë identitetin e tyre emocional.

“Perspektiva e një vajze të re më dukej shumë e fuqishme sepse adoleshenca është një periudhë ku njeriu fillon të kuptojë botën, trupin, identitetin dhe ëndrrat e veta. Në mes të një realiteti të dhunshëm, dëshira për jetë, dashuri dhe liri bëhet edhe më e fortë,” u shpreh ajo.

Regjisorja theksoi gjithashtu rëndësinë që kinematografia kosovare po fiton gjithnjë e më shumë vëmendje në arenën ndërkombëtare. Sipas saj, arti dhe filmi kanë fuqinë të krijojnë ura mirëkuptimi mes kulturave dhe të tregojnë histori përtej stereotipeve apo narrativave politike.

“Për një vend të vogël si Kosova, kjo vëmendje ndihmon që historitë tona të dëgjohen dhe të shihen përtej stereotipeve apo lajmeve politike. Është gjithashtu një inkurajim i madh për gjeneratat e reja të kineastëve që të besojnë se zëri i tyre ka vend në botë,” deklaroi Basholli.

Në fund, ajo ndau edhe mesazhin që dëshiron të përcjellë tek publiku përmes filmit “DUA”.

“Shpresoj që publiku të kuptojë se të rinjtë që jetojnë në konflikte janë njësoj si të rinjtë kudo tjetër: kanë ëndrra, frikëra, dëshirojnë të dashurojnë, të dëgjojnë muzikë, të shkojnë në koncerte dhe të jetojnë lirshëm. Dua që filmi të krijojë empati dhe të na kujtojë se pas çdo lufte ka njerëz të zakonshëm, sidomos fëmijë e të rinj, që bartin pasojat më të mëdha,” përfundoi ajo./Indeksonline/