75 Mall Live Search
14:01 / E Enjte, 28 Maj 2026 / F.R

Aksident me fatalitet në Ramnishtë të Vitisë, humb jetën një person

Një 70-vjeçar ka humbur jetën si pasojë e një aksidenti trafiku që ka ndodhur në rrugën Viti–Ramnishtë, ka bërë të ditur Policia e Kosovës për rajonin e Gjilanit.

Rastin për IndeksOnlinen e ka konfirmuar zëdhënësi i policisë për rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani, ku bëri të ditur se aksidenti ka ndodhur sot rreth orës 08:30, ndërmjet dy veturave në këtë segment rrugor.

“Sot, më 28.05.2026, rreth orës 08:30, në rrugën Viti – Ramnishtë, ka ndodhur një aksident trafiku ndërmjet dy veturave. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet e trafikut rajonal, ndërsa sipas hetimeve të para, lëndime trupore kanë pësuar të dy drejtuesit e automjeteve, të cilët janë banorë të Komunës së Vitisë”, ka thënë Hashani.

Hashani ka shtuar se njëri nga të lënduarit, rreth 70-vjeçar nga fshati Lubishtë i Vitisë, fillimisht është dërguar me urgjencë në Spitalin rajonal të Gjilanit për trajtim mjekësor, por pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, nuk ka arritur t’u mbijetonte plagëve të marra.

“Si pasojë e aksidentit, njëri prej tyre ka pësuar lëndime të rënda trupore. I lënduari është transportuar në Spitalin rajonal në Gjilan, ku më pas ka ndërruar jetë. Ndërkaq, drejtuesit tjetër të automjetit i është caktuar masa e ndalimit prej 48-orësh, ndërsa trupi i pajetë i viktimës është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë. Lidhur me rastin  është njoftuar prokurori i shtetit, i cili ka urdhëruar ndërmarrjen e veprimeve të mëtejshme hetimore”, ka bërë të ditur Hashani.