Hasanpapaj: Figurat kryesore të LVV-së ia kanë frikën Vjosa Osmanit
Kandidati për deputet i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Bardhyl Hasanpapaj, ka thënë se eksponentët kryesorë të Lëvizjes Vetëvendosje, si kryetari i saj e nënkryetarët, ia kanë akoma frikën Vjosa Osmanit.
I ftuar në emisionin VV Show, Hasanpapaj tha se propaganda e Vetëvendosjes nuk është duke funksionuar më.
Sipas tij, figurat kryesore të LVV-së i frikohen në njëfarë mënyrë Vjosa Osmanit, por të njëjtit aktivizojnë aktivistët e tyre për të bërë propagandë ndaj saj.
“Lëvizja Vetëvendosje nëse i marrim figurat kryesore të kësaj partie, akoma frikësohen të flasin keq për Vjosa Osmanin. Përshembull kryetari i partisë, nënkryetarët, shefja e grupit parlamentar e të tjerët. Ata e hedhin gurin e e mshefin dorën, sepse angazhojnë “ushtrinë e propagandës” për të hedhur baltën e me kriju huti, por njëkohësisht me ruajt pjesën e njerëzve të arsyeshëm”, ka thënë Hasanpapaj.
Kandidati me numër 34 në listën e LDK-së, Hasanpapaj ka thënë se propaganda e Vetëvendosjes nuk është duke funksionuar më, pasi që sipas tij realiteti tashmë është i dukshëm.
“Nuk na hedhin dot idenë që brenda natës ajo (Vjosa) u bë tradhtarja. Gjatë krejt kaosit që ata e servonin se dëshirojmë ta bëjmë Osmanin presidente por nuk i kemi votat dhe Konjufca me paturpësi pak para seancës thoshte nëse vjen Osmani unë ia jap votën. Çfarë pa sinqeriteti ekstrem, manipulim me opinionin publik kinse ne nuk jemi kundër Osmanit, në ndërkohe dëshironin ta eliminon politikisht por ta mbanin autoritetin e saj politikë”, ka thënë mes të tjerash Hasanpapaj në VV Show.

