Shtëpia e Bardhë nominon ambasadorë për në Bosnjë, Serbi dhe Mal të Zi – për Kosovën ende s’ka njoftim
Përmes një dekreti, Shtëpia e Bardhë ka nominuar më 1 qershor ambasadorë për në Bosnjë e Hercegovinë, Serbi dhe Mal të Zi.
Këto nominime duhet të konfirmohen nga Senati amerikan.
Siç njoftoi Shtëpia e Bardhë, për Bosnjë e Hercegovinë është nominuar Ronald Johnson nga shteti i Masaçusetsit për postin e ambasadorit të jashtëzakonshëm dhe fuqiplotë të SHBA-së, raporton Evropa e Lirë. Për Serbinë është nominuar Michael Young nga shteti i Uhtas.
Ndërsa për Malin e Zi është nominuar Peter McCoy nga Karolina e Jugut.
Sa u përket vendeve të tjera të rajonit të Ballkanit Perëndimor, SHBA-ja ka nominuar po ashtu ambasador për Shqipërinë.
Ndërkaq sa i përket Kosovës, Uashingtoni ende nuk ka ndonjë njoftim, teksa Ambasada amerikane në Prishtinë aktualisht udhëhiqet nga e ngarkuara me punë, Anu Prattipati, pasi ambasadori paraprak, Jeff Hovenier, përfundoi mandatin e tij trevjeçar në fund të dhjetorit të vitit 2024.
Në fund të majit të këtij viti, para Komitetit për Marrëdhënie me Jashtë të Senatit amerikan është paraqitur i nominuari për ambasador të SHBA-së në Shqipëri, Eric Wendt.
Para senatorëve ai shpalosi prioritetet e tij kryesore nëse zgjidhet ambasador, duke thënë se ato do të jenë mbrojta e qytetarëve amerikanë dhe avancimi i interesave të SHBA-së.
Ndërkaq, sipas njoftimit të 1 qershorit, SHBA-ja ka nominuar edhe ambasadorë për në El Salvador, Azerbajxhan, Mbretërinë e Kamboxhias, Guinenë Ekuatoriale, Moldavi, Indonezi, Bullgari, Republikën e Trinidad dhe Tobagos, Paraguai, Kolumbi, Lituani, Egjipt, Brazil, Ekuador, Gambi, Sierra Leone dhe Kenia.
Procedura e nominimit të ambasadorëve të SHBA-së bazohet në parimin kushtetues të “këshillimit dhe pëlqimit” të Senatit amerikan.

