Të shtëna me armë pas një mosmarrëveshjeje në Pejë, arrestohet një person
Një person është ndaluar për 48 orë pasi dyshohet se ka shtënë me armë zjarri pas një mosmarrëveshjeje me dy persona të tjerë në Pejë.
Sipas informacioneve fillestare, i dyshuari, mashkull kosovar, fillimisht kishte pasur një konflikt me dy viktima meshkuj kosovarë. Pas mosmarrëveshjes, ai dyshohet se ka shtënë me armë dhe më pas është larguar nga vendi i ngjarjes me veturën e tij.
“Pejë 07.06.2026 – 23:45. Raportohet se i dyshuari mashkull kosovar fillimisht kishte pasur mosmarrëveshje me dy viktima meshkuj kosovarë dhe me pas i njëjti kishte shtëne me armë dhe ishte larguar me veturën e tij. Në vend ngjarje është gjetur vetura e qëlluar disa herë nga të shtënat, ndërsa gëzhojat nuk janë gjetur në vendin e ngjarjes nga se dyshohet se ishin tërhequr nga i dyshuari. I dyshuari është vetë paraqitur në stacion policor dhe ka pranuar se ka shtënë me armë. Njësiti i hetimeve ka shkuar në shtëpinë e tij, ku ka konfiskuar një armë të shkurtë me 14 fishekë dhe një gezhojë. Arma ishte pronë e prindit të tij të cilën e kishte me leje. I dyshuari është intervistuar nga njësiti i hetimeve dhe me urdhër të prokurorit i është caktuar masa e ndalimit policor për 48 . Rasti po hetohet nga ekipet relevante”, thuhet në njoftimin e policisë.

