Brukseli ndëshkon Teheranin: Sanksione për kufizimin e trafikut detar në Hormuz
Bashkimi Evropian ka vendosur sanksione ndaj dy individëve iranianë dhe një njësie të Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike (IRGC), duke i akuzuar për kërcënimin e lirisë së trafikut detar në Ngushticën e Hormuzit, një nga rrugët më strategjike për transportin global të naftës.
Vendimi shënon herën e parë që BE-ja përdor mekanizmin e saj të ri të sanksioneve për të ndëshkuar veprime që kufizojnë lirinë e lundrimit. Në listën e sanksioneve janë përfshirë Komanda Provinciale e Hormozganit e Marinës së IRGC-së, si dhe Mohammad Akbarzadeh, zëvendëskomandant për Çështjet Politike të Marinës së Gardës Revolucionare, dhe Hamid Hosseini, përfaqësues i Unionit të Eksportuesve të Naftës, Gazit dhe Produkteve Petrokimike të Iranit.
Sipas mediave të huaja, masa vjen pasi Irani vendosi të mbyllë Ngushticën e Hormuzit pas nisjes së sulmeve amerikano-izraelite ndaj territorit iranian më 28 shkurt.
Shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas, deklaroi se veprimet e Teheranit janë të papranueshme dhe se shtetet anëtare kanë vendosur të reagojnë përmes sanksioneve ndaj individëve dhe subjekteve të përfshira në ndërprerjen e tranzitit detar.
“Kjo është hera e parë që Bashkimi Evropian zbaton regjimin e ri për mbrojtjen e lirisë së lundrimit dhe, kur të jetë e nevojshme, do ta përdorim sërish”, u shpreh Kallas.
Ngushtica e Hormuzit konsiderohet një arterie jetike për tregtinë globale të energjisë, pasi përmes saj kalon rreth një e pesta e furnizimit botëror me naftë.

