Autostrada Bllacë-Shkup dhe tuneli Tetovë-Prizren, temë e diskutimit ndërmjet Haxhiut dhe Siljanovska-Davkovës
Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka zhvilluar një takim me presidenten e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova, në margjinat e Samitit të South-East European Cooperation Process (SEECP) që po mbahet në Sofje.
Përmes një deklarate publike, Haxhiu tha se Kosova dhe Maqedonia e Veriut gëzojnë marrëdhënie të afërta fqinjësore, të mbështetura në lidhje të shumta njerëzore, ekonomike dhe kulturore.
Sipas saj, gjatë takimit u diskutua për rëndësinë e lehtësimit të lëvizjes së qytetarëve, forcimit të bashkëpunimit ekonomik dhe përmirësimit të komunikimit ndërmjet dy vendeve, shkruan IndeksOnline.
“Çdo hap që e lehtëson lëvizjen, tregtinë dhe komunikimin ndërmjet qytetarëve tanë ka rëndësi të drejtpërdrejtë”, ka theksuar Haxhiu.
Në fokus të bisedës, sipas Haxhiut, ishin edhe avancimi i projektit të autostradës Bllacë–Shkup dhe projekti i tunelit Tetovë–Prizren.
Ky është njoftimi i plotë i saj:
Në margjinat e Samitit të SEECP-së në Sofje, zhvillova një takim me Presidenten e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova.
Kosova dhe Maqedonia e Veriut janë fqinje të afërta, me shumë lidhje njerëzore, ekonomike dhe kulturore. Prandaj, çdo hap që e lehtëson lëvizjen, tregtinë dhe komunikimin ndërmjet qytetarëve tanë ka rëndësi të drejtpërdrejtë.
Biseduam për mbështetjen e ndërsjellë në organizata ndërkombëtare, për rrugën evropiane të rajonit, për autostradën Bllacë-Shkup dhe për projektin e tunelit Tetovë-Prizren.

