75 Mall Live Search
09:26 / E Enjte, 11 Qershor 2026 / P M

BQK dhe Thesari i SHBA-së nisin projekt të ri për luftimin e pastrimit të parave

Ju lutëm gjeni komunikatën lidhur me takimin e Guvernatorit të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), z. Ahmet Ismaili me Misionin e Asistencës Teknike në kuadër të projektit të ri të Zyrës për Asistencë Teknike (OTA) të Departamentit të Thesarit të SHBA-së, të udhëhequr nga ekspertët z. Joseph W. Burke dhe z. Norman Smith. Misioni u fokusua në forcimin e mëtejshëm të kapaciteteve institucionale dhe ekspertizës mbikëqyrëse të BQK-së në fushën e Parandalimit të Pastrimit të Parave dhe Luftimit të Financimit të Terrorizmit (AML/CFT).

Guvernatori Ismaili paraqiti një pasqyrë të mandatit, detyrave dhe përgjegjësive të BQK-së, me theks të veçantë në rolin e saj në ruajtjen e integritetit të sistemit financiar, forcimin e mbikëqyrjes AML/CFT dhe luftimin e falsifikimit të monedhës.

Gjatë takimit, Guvernatori Ismaili nënvizoi gjithashtu progresin e arritur në avancimin e kornizës rregullative dhe mbikëqyrëse, përfshirë zbatimin e vazhdueshëm të mbikëqyrjes të bazuar në rrezik, hartimin e rregulloreve për kripto-asetet dhe licencimin e ofruesve të shërbimeve të kripto-aseteve, si dhe forcimin e mekanizmave të shqyrtimit të investimeve për institucionet e reja që hyjnë në tregun e Kosovës. Një pjesë e rëndësishme e diskutimit u fokusua në projektin e ri që do të zbatohet në bashkëpunim ndërmjet Ministrisë së Financave, Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Njësisë së Inteligjencës Financiare dhe Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit.

Me këtë rast, Guvernatori Ismaili nënshkroi Termat e Referencës për projektin, duke riafirmuar përkushtimin e BQK-së për avancimin e kornizës kombëtare AML/CFT/CPF, forcimin e bashkëpunimit institucional dhe kontributin në mbrojtjen e sistemit financiar të Kosovës.

Guvernatori Ismaili shprehu mirënjohje të thellë ndaj Departamentit të Thesarit të SHBA-së për mbështetjen e vazhdueshme, asistencën teknike dhe bashkëpunimin institucional.