Aktorja Fatlume Bunjaku bëhet anëtare e Akademisë Evropiane të Filmit
Aktorja kosovare Fatlume Bunjaku është përzgjedhur anëtare e Akademisë Evropiane të Filmit, duke shënuar një tjetër sukses në karrierën e saj artistike.
Lajmin e ka bërë të ditur vetë aktorja përmes një postimi në rrjetet sociale, ku shprehu emocionet dhe mirënjohjen për pranimin në këtë institucion prestigjioz të kinematografisë evropiane.
“Jam e emocionuar dhe e nderuar që i bashkohem Akademisë Evropiane të Filmit si anëtare e re”, ka shkruar Bunjaku.
Ajo gjithashtu falënderoi presidenten e Akademisë Evropiane të Filmit, Juliette Binoche, si dhe institucionin për ftesën dhe pritjen e ngrohtë.
Anëtarësimi në Akademinë Evropiane të Filmit konsiderohet një vlerësim i rëndësishëm për profesionistët e industrisë së filmit dhe një mundësi për t’u bërë pjesë e rrjetit evropian të krijuesve dhe artistëve të kinemasë.
Ky sukses përbën një arritje të rëndësishme jo vetëm për Fatlume Bunjakun, por edhe për përfaqësimin e artistëve kosovarë në skenën ndërkombëtare të filmit.

