75 Mall Live Search
15:36 / E Enjte, 11 Qershor 2026 / b l

Komandanti i KFOR-it flet për sigurinë në Kosovë: Nuk ka kërcënime të drejtpërdrejta

Në një intervistë ekskluzive për “Përballje Podcast” në Telegrafi, komandanti i KFOR-it në Kosovë, gjeneralmajori Ozkan Ulutash, ka deklaruar se situata e përgjithshme e sigurisë në Kosovë mbetet e qetë dhe se aktualisht nuk ka tregues për kërcënime të drejtpërdrejta ndaj sigurisë, megjithëse ka paralajmëruar se tensionet e pazgjidhura, retorika nxitëse dhe dezinformimi vazhdojnë të paraqesin sfida që kërkojnë vigjilencë të vazhdueshme.

Në intervistë me kryeredaktorin e Telegrafit, Muhamet Hajrullahu, Ulutash tha se KFOR-i mbetet plotësisht i gatshëm për t’iu përgjigjur çdo përkeqësimi të mundshëm të situatës, duke theksuar se misioni i NATO-s është i pajisur, i trajnuar dhe i pozicionuar për të reaguar shpejt në rast nevoje.

Duke folur për situatën në veri, komandanti i KFOR-it vlerësoi se aktualisht gjendja është e qetë dhe se nuk janë regjistruar incidente të ngjashme me ato të vitit 2023, por nënvizoi se misioni nuk po e ul vigjilencën për shkak të çështjeve të pazgjidhura dhe ndikimit që mund të kenë dezinformimi dhe retorika e papërgjegjshme në terren.

Ai theksoi se KFOR-i vazhdon koordinimin e ngushtë me institucionet e sigurisë në Kosovë, EULEX-in dhe autoritetet përkatëse në rajon, ndërsa përsëriti se stabiliteti afatgjatë në Kosovë nuk mund të arrihet përmes zgjidhjeve ushtarake, por përmes dialogut politik për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.