75 Mall Live Search
21:29 / E Enjte, 11 Qershor 2026 / B XH

Rreth 80% të kutive të numëruara, kështu votuan prizrenasit

Prizreni është në mesin e tri komunave që ende nuk ka përfunduar procesi i numërimit të votave të kandidatëve për deputetë që kanë garuar në zgjedhjet e 7 qershorit.

Nga përditësimi i fundit në Qendrën Komunale të Numërimit, ky proces ka shkuar në mbi 78%, apo nga 232 vendvotime, janë numëruar 181 kuti.

Te disa parti, prizrenasit u kanë dhënë votën kandidatëve që vijnë nga kjo komunë.

Nga Lëvizja Vetëvendosje, përveç Albin Kurtit, Glauk Konjufcës e Albulena Haxhiut, më së shumti vota në Prizren kanë marrë Hajrullah Çeku dhe Artan Abrashi, që vijnë nga ky qytet.

Nga kjo përqindje e numëruar, Kurti ka marrë 15,915 vota, Konjufca 11,599 vota, i treti është Çeku me 7,673 vota, dhe pesëshja përmbyllet me Albulena Haxhiun 6,861 vota dhe Artan Abrashi me 6,554 vota.

Kurse, te PDK-ja përveç kryetarit të saj, Bedri Hamza, prizrenasit kanë votuar vetëm kandidatët që vijnë nga kjo komunë.

Deri më tash, Bedri Hamza ka marrë 6,908 vota në Prizren, pasuar nga Faruk Bojaxhi me 3,977 vota, Lumnije Rakaj me 3,813 vota, Nait Hasani me 3,368 vota dhe e pesta është Jona Hoxhaj me 3,062 vota.

Te LDK-ja, Prizreni i ka dhënë më së shumti vota Anton Qunit, që vjen nga kjo komunë, derisa në pesëshen e parë janë kandidatë të komunave tjera.

Edhe në këtë komunë, me besimin e qytetarëve prin Vjosa Osmani me 3,420 vota, Lumir Abdixhiku me 3,037 vota, Doarsa Kica Xhelili me 2,364 vota, Anton Quni me 2,167 vota dhe Avdullah Hoti me 2,033 vota.

Ndërkaq, te Aleanca pesëshja e parë është e kandidatëve që nuk janë të Priztenit. Më së shumti vota ka marrë Ardian Gjini me 990 vota, Ramush Haradinaj me 846 vota, Bekë Berisha me 560 vota, Daut Haradinaj me 518 vota dhe Besnik Tahiri me 474 vota.