Katërshja e UÇK-së në Hagë ngushëllon familjen e Sahit Jasharit
Kandidati për deputet nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Altin Krasniqi, ka bërë të ditur se gjatë telefonatës së mëngjesit me babanë e tij, Jakup Krasniqin, dhe bashkëluftëtarët e tij që ndodhen në Hagë, është porositur të përcjellë një telegram ngushëllimi për familjen e luftëtarit të UÇK-së, Sahit Jashari.
Në telegramin e dërguar, bashkëluftëtarët e Sahit Jasharit kanë shprehur pikëllimin e thellë për ndarjen e tij nga jeta, duke e cilësuar atë si luftëtar të lirisë dhe hero të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Jeta dhe vepra e tij do të mbeten përherë pjesë e historisë sonë kombëtare. Me guxim, përkushtim dhe sakrificë, ai i shërbeu atdheut në ditët më të vështira, duke lënë pas një trashëgimi të çmuar për brezat që do të vijnë”, thuhet në telegram.
Po ashtu, në mesazh janë shprehur ngushëllime për familjen Jashari, bashkëluftëtarët, miqtë dhe të gjithë ata që e njohën dhe e vlerësuan Sahit Jasharin.
“Qoftë i përjetshëm kujtimi për luftëtarin Sahit Jasharin dhe e paharruar vepra e tij në shërbim të lirisë dhe atdheut”, përfundon telegrami i nënshkruar nga bashkëluftëtarët e tij në Hagë.
Telegrami mban datën 12 qershor 2026 dhe është përcjellë përmes Altin Krasniqit në emër të ish-krerëve të UÇK-së që po mbahen në Hagë.

