75 Mall Live Search
12:04 / E Premte, 12 Qershor 2026 / Z S

Olivia Rodrigo zbulon problemin shëndetësor që e shoqëron prej vitesh

Këngëtarja e njohur Olivia Rodrigo ka habitur fansat me një rrëfim të papritur për shëndetin e saj, teksa promovonte albumin e ri.

Gjatë një interviste në KISS FM, artistja zbuloi se vuan nga humbja e konsiderueshme e dëgjimit në veshin e majtë, duke treguar se është rreth 60% e shurdhër në atë anë.

“Ka shumë gjëra që nuk shkojnë me mua”, tha ajo me humor, përpara se të shtonte se nëse dikush do t’i fliste nga ana e majtë, mund të mos e kuptonte fare atë që po i thoshte. Më pas, këngëtarja bëri shaka duke ftuar njerëzit t’i flasin nga ana e djathtë nëse duan t’i tregojnë një sekret.

Deklarata e saj la të habitur moderatorët e emisionit, të cilët theksuan se është e pabesueshme që një artiste me një karrierë kaq të suksesshme muzikore përballet me një problem të tillë dëgjimi.

Rrëfimi vjen pak ditë para publikimit të albumit të saj të tretë, You Seem Pretty Sad For A Girl So In Love, i cili publikohet më 12 qershor. Një nga këngët e reja titullohet “What’s Wrong With Me?”, pyetje që shërbeu si pikënisje për zbulimin e saj.

Së fundmi, Rodrigo ka folur edhe për jetën e saj personale dhe ndikimin që kanë pasur përvojat sentimentale në muzikën e re. Ajo pranoi se ndarjet romantike, pavarësisht dhimbjes që sjellin, mund të shërbejnë si një mundësi për reflektim dhe rritje personale.

Artistja konfirmoi gjithashtu ndarjen nga Louis Partridge dhe tregoi se albumi i ri pasqyron për herë të parë përvojën e saj në një marrëdhënie më të pjekur.

“Dhimbja e zemrës që përjetova kur isha 17 vjeç ishte ndoshta më e vështira e jetës sime. Sot i marr gjërat më pak personalisht dhe kjo më ka ndihmuar të rritem”, u shpreh këngëtarja, duke treguar se vitet e fundit e kanë ndihmuar të përballet më mirë me zhgënjimet dhe refuzimet.