Eksperti i sigurisë: Mbi 50 mijë rusë kanë përfituar shtetësi serbe, rrezik për sigurinë rajonale
Eksperti i sigurisë, Drizan Shala, ka ngritur alarmin për rritjen e numrit të shtetasve rusë që po marrin shtetësinë serbe, duke vlerësuar se kjo mund të përdoret nga Rusia për ndikim politik dhe destabilizim në Ballkanin Perëndimor.
Shala tha se ky trend ka nisur të vërehet që nga viti 2023 dhe se sipas vlerësimeve bëhet fjalë për mbi 50 mijë shtetas rusë që mund të kenë përfituar shtetësi serbe.
“Pa dyshim trendi i aktiviteteve ku shtetasit rusë kanë përfituar nënshtetësi serbe daton që nga 2023, ku ne kemi bërë paralajmërimet që nga ajo kohë që janë mbi 50 mijë qytetarë rusë, të cilët pa dyshim që do t’ju atribuohet një e drejtë nga sistemi ligjor dhe kushtetues i Serbisë që ata të përfitojnë shtetësinë e dyfishtë, pra shtetësinë serbe. Dhe kjo më pastaj mund të hapet një kuti të Pandorës ku dihet qartazi që Rusia ka doktrinën e saj që në vendet ku ajo nuk mund të influencojë, apo ka frikën që mund të ndryshojë struktura politike në interesat e saj, ajo më pastaj krijon momentume të tilla ku rrit numrin e shtetasve rusë që kanë shtetësinë e dyfishtë të atij shteti. Dhe më pastaj interferon dhe investon në mënyrë sistematike për ta mbajtur në njërën anë sistemin e saj të kontrollit mbi atë shtet, po edhe në anën tjetër për t’i mundësuar që më pastaj kemi edhe agjentë të cilët marrin shtetësi të dyfishtë dhe mund të veprojnë dhe operojnë lirshëm në tërë territorin e kontinentit evropian, meqenëse Serbia është pjesë përbërëse e Shengen zonës. Po njëkohësisht edhe këto veprime më pastaj mund të përkthehen edhe në veprime konkrete për të destabilizuar rajonin e Ballkanit Perëndimor”, tha ai.
Shala deklaroi se shtetasit rusë me shtetësi serbe mund të lëvizin lirshëm edhe në Kosovë, duke e vështirësuar identifikimin e tyre nga mekanizmat e sigurisë.
“Pa dyshim që shtetasit rusë të cilët marrin shtetësinë serbe mund të lëvizin lirshëm në territorin e Ballkanit Perëndimor respektivisht edhe në Republikën e Kosovës dhe nuk mund të jenë të atakueshëm nga sistemet mbrojtëse të vendeve përkatëse ku ata mund të lëvizin. Pra, si një shtetas serb ai nuk është i detyruar të kontrollohet në pikat kufitare në mënyrë të rreptë sepse ne presupozojmë se është shtetas serb, që në fakt ai përbën pjesë përbërëse e një strukture inteligjente të mundshme të anës ruse, ku më pastaj mund të veprojnë dhe mund të kryejnë operacione psikologjike”, tha ai.
Sipas Shalës, vendet e rajonit duhet ta ngrenë këtë çështje në institucionet evropiane dhe të kërkojnë rikthimin e regjimit të vizave për Serbinë.
“Unë mendoj që ne do duhet ta ngrisim këtë alarm ashtu siç e ka bërë Komisioni Evropian, dhe pse jo përmes formave të ndryshme edhe vendet fqinje, sepse nuk atakohet vetëm Republika e Kosovës, po edhe vendet të tjera të cilat janë në destabilizim të brendshëm politik. Do duhej që ta ngrisin këtë çështje në Komisionin Evropian apo në takimet me përfaqësuesit e Bashkimit Evropian që Serbisë t’i rikthehet regjimi i vizave dhe kështu të minimizohet mundësia e shpërndarjes së këtyre qytetarëve rusë të cilët sipas shifrave ka kaluar apo është rreth 50 mijë qytetarë. Dhe imagjinoni çfarë strukture mund të përfaqësojnë ata qytetarë të cilët kanë shtetësi të dyfishtë nga strukturat udhëheqëse të strukturave inteligjente ushtarake dhe civile të shtetit të Rusisë”, tha ai.
Komisioni Evropian në dokumentin më të fundit për progresin e Serbisë në kapitujt 23 dhe 24 që lidhen me sundimin e ligjit, ka vlerësuar se rritja e numrit të shtetasve rusë që marrin shtetësi serbe dhe përfitojnë hyrje pa viza në Bashkimin Evropian paraqet sfidë të mundshme sigurie për bllokun evropian.

