Gjykata Administrative me mijëra lëndë
Gjykata Administrative tashmë ka nisur funksionimin me një numër të madh lëndësh e me staf që pritet të kompletohet së shpejti. Ushtruesi i detyrës së kryetarit të Gjykatës Administrative thekson se sfida kryesore e institucionit mbetet numri i madh i lëndëve të trashëguara nga gjykatat e tjera, ndërsa njëkohësisht vazhdon pranimi i lëndëve të reja.
“Natyrisht, sfida kryesore në fillim të punës së gjykatës mbetet numri i madh i lëndëve të trashëguara nga gjykatat e tjera. Kjo sfidë do të jetë edhe më e madhe duke pasur parasysh se, krahas tyre, gjykata do të vazhdojë të pranojë lëndë të reja. Pjesa më e madhe e lëndëve kanë të bëjnë me pensionet, por ka edhe lëndë të tjera që lidhen me marrëdhëniet e punës. Sipas Ligjit për Gjykatën Administrative, kjo gjykatë tashmë do të trajtojë të gjitha kontestet e punës ndërmjet zyrtarëve publikë dhe institucioneve publike, si dhe kontestet ndërmjet institucioneve publike”, tha Rexhep Gashi, ud kryetar i Gjykatës Administrative.
Për avokatët themelimi dhe funksionalizimi i kësaj gjykate vlerësohet e një rëndësie të veçantë si për qytetarët por edhe bizneset.
“Drejtësia administrative fatkeqësisht ka qenë jo e mbështetur sa duhet. Për atë arsye ka qenë një numër shumë i madh i lëndëve dhe një numër shumë i vogël i gjyqtarëve në Departamentin Administrativ të Gjykatës Themelore në Prishtinë. Ka pasur raste kur paditësit kanë vdekur duke pritur që e drejta e tyre të realizohet”, tha Florin Lata, avokat.
Specifika e kësaj gjykate është vetë natyra e lëndëve dhe e të drejtave që trajtohen. Janë probleme bazike të qytetarëve, probleme me pensione, me organet administrative, çështje tatimore që transferohen nga Gjykata Komerciale në Gjykatën Administrative, si dhe çështje që kanë të bëjnë me lejet e ndërtimit, licencat dhe marrëdhëniet e punës me zyrtarët publikë.
Për të rritur efikasitetin dhe për të shkurtuar kohën e shqyrtimit të rasteve, gjykata administrative do të zbatojë modalitete të reja të trajtimit të lëndëve, përfshirë vendimmarrjen pa mbajtje të seancave në rastet më pak komplekse dhe përdorimin e gjykimeve model për çështje të ngjashme.
Pjesa më e madhe e rasteve lidhen me pensionet dhe marrëdhëniet e punës. Me kompetencat e reja ligjore, Gjykata Administrative do të trajtojë kontestet e punës ndërmjet zyrtarëve publikë dhe institucioneve publike.

