Ish-modelja padit Netflix-in për shpifje
Tyra Banks po padit Netflix për serialin dokumentar “Reality Check: Inside America’s Next Top Model”, i cili eksploron polemikat që rrethojnë reality show-n dikur të njohur.
Ish-modelja dhe prezantuesja pretendon se deklaratat e saj u redaktuan në një mënyrë që krijoi një “narrativë të rreme dhe shpifëse” rreth rolit të saj në ngjarjet kontroverse gjatë xhirimeve të shfaqjes, transmeton Indeksonline.
Në padi, ajo deklaron se seriali paraqitet si dokumentar dhe se shikuesit presin fakte nga një format i tillë, jo histori të ndërtuara.
Ajo gjithashtu pretendon se pjesët ku ajo fliste për gabimet e serialit dhe merrte përgjegjësinë ishin prerë nga versioni përfundimtar. “Shumë klipe u morën jashtë kontekstit dhe u ribashkuan për të mbështetur një narrativë të rreme dhe shpifëse”, thuhet në padi, sipas E! News.
Seriali shqyrton akuzat për ngacmim, turpërim për pamjen e jashtme dhe polemika racore në shfaqje. Një nga akuzat më serioze vjen nga ish-konkurrentja Shandi Sullivan, e cila pretendon se ishte e dehur gjatë një xhirimi në Itali në vitin 2003 dhe se producentët duhet të kishin ndërhyrë./Indeksonline/

