Policia e Gjakovës shqipton 306 gjoba për përdorim të telefonit gjatë vozitjes – konfiskon 44 patentë shoferë
Drejtoria Rajonale e Policisë së Gjakovës, më 15.06.2026, ka njoftuar se ka shqiptuar 306 gjoba përmes një aksioni kundër përdorimit të telefonit gjatë ngasjes.
Sipas njësisë së kësaj Drejtorie Rajonale bëhet e ditur se qëllimi i këtij aksioni ishte rritja e sigurisë në trafikun rrugor dhe parandalimi i aksidenteve me pasoja të rënda.
“Me qëllim të rritjes së sigurisë në trafikun rrugor dhe parandalimit të aksidenteve me pasoja të rënda, Njësia Rajonale e Komunikacionit Rrugor në Gjakovë ka intensifikuar aktivitetet policore në terren, duke zbatuar planin operativ “Përdorimi i telefonit” – thuhet në njoftimin e Policisë.
Ky aksion, sipas Policisë, u zhvillua në një periudhë 4 ditore, dhe në fokus ka pasur identifikimin e drejtuesve të mjeteve që përdorin telefonin gjatë ngasjes, meqenëse ky veprim paraqet rrezik të konsiderueshëm për sigurinë në komunikacion.
Përpos 306 gjobave të shqiptuara, kundërvajtësve u janë marrë 44 patentë shoferë si masë mbrojtëse.
“Gjatë zbatimit të planit, policia ka ndërmarrë masa preventive dhe ligjore ndaj kundërvajtësve. Si rezultat i këtij aktiviteteve të realizuara, janë shqiptuar 306 gjoba trafiku, ndërsa 44 patentë shoferi janë marr si masë mbrojtëse, në përputhje me legjislacionin në fuqi” – thuhet tutje në njoftim.
Drejtoria Rajonale e Gjakovës potencon se do vazhdojë me aktivitete të ngjashme ‘preventive dhe operative’ me synim të ngritjes së nivelit të sigurisë rrugore dhe parandalimit të aksidenteve, si dhe apelon te pjesëmarrësit në komunikacion që t’i respektojnë rregullat e trafikut.
“Policia e Kosovës apelon te të gjithë pjesëmarrësit në komunikacion që të respektojnë rregullat e trafikut, të shmangin përdorimin e telefonit gjatë ngasjes dhe të kontribuojnë në krijimin e një mjedisi më të sigurt për të gjithë përdoruesit e rrugës”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

