75 Mall Live Search
12:56 / E Martë, 16 Qershor 2026 / H F

Tragjedia që tronditi komunitetin shqiptar në Zvicër: Dalin detaje të reja për vdekjen e 37-vjeçarit

Blerim S., baba i tre fëmijëve dhe një figurë e respektuar në komunitetin shqiptar në Zvicër, ka humbur jetën tragjikisht në një aksident trafiku në kantonin Aargau. Rrethanat e ngjarjes mbeten ende të paqarta dhe po hetohen nga autoritetet zvicerane.

Sipas informacioneve të publikuara, aksidenti ka ndodhur të dielën në mbrëmje, pak pas orës 18:30, në Birrfeldstrasse pranë Wohlenschwilit. Për arsye që ende nuk janë bërë të ditura, automjeti tip Renault që drejtohej nga 37-vjeçari ka dalë nga rruga dhe është përplasur me një shtyllë ure.

Ekipet e emergjencës kanë mbërritur menjëherë në vendin e ngjarjes, por pavarësisht përpjekjeve për t’i shpëtuar jetën, Blerimi ka ndërruar jetë në vend.

I ndjeri jetonte në rajonin e Wohlenit, ishte i martuar dhe baba i tre fëmijëve. Ai punonte në një kompani të njohur të industrisë së orëve dhe njihej si një tifoz i apasionuar i futbollit, duke qenë aktiv edhe në një klub futbollistik lokal.

Lajmi për vdekjen e tij ka tronditur familjarët, miqtë dhe bashkëpunëtorët. Një mike e familjes ka deklaruar për mediat zvicerane se humbja e tij ka prekur thellë të gjithë ata që e kanë njohur.

“Është jashtëzakonisht tragjike që ai nuk është më mes nesh. Ai lë pas bashkëshorten dhe tre fëmijët”, është shprehur ajo.

Dhimbja është e madhe edhe në komunitetin shqiptar në Zvicër, ku Blerimi gëzonte respekt dhe vlerësim të madh. Sipas të afërmve, babai i tij kishte qenë një figurë e njohur për angazhimin në çështjen e çlirimit të Kosovës.

Në vendin ku ndodhi aksidenti janë vendosur lule dhe mesazhe ngushëllimi, ndërsa shumë qytetarë kanë shprehur pikëllimin e tyre edhe në rrjetet sociale.

Autoritetet e kantonit Aargau kanë nisur hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e aksidentit. Deri më tani nuk është bërë e ditur nëse në ngjarje kanë ndikuar probleme shëndetësore, shpejtësia apo faktorë të tjerë. /Albinfo