75 Mall Live Search
14:02 / E Martë, 16 Qershor 2026 / A

Kushtetuesja shfuqizon aktgjykimin e Supremes për Koordinatorin Kombëtar të Krimit Ekonomik

Gjykata Kushtetuese e Kosovës e ka shpallur të pavlefshëm aktgjykimin e Gjykatës Supreme që kishte anuluar Rregulloren e Këshillit Prokurorial të Kosovës lidhur me mandatin e Koordinatorit Kombëtar për Luftimin e Krimit Ekonomik.

Rasti ishte iniciuar nga Këshilli Prokurorial i Kosovës, i cili kishte kërkuar vlerësimin e kushtetutshmërisë së aktgjykimit të Gjykatës Supreme të 14 korrikut  2025.

Kushtetuesja vendosi njëzëri ta pranojë kërkesën dhe konstatoi se Gjykata Supreme kishte shkelur të drejtën për gjykim  të drejtë dhe të paanshëm si dhe kishte cenuar pavarësinë kushtetuese të KPK-së. Si rezultat, aktgjykimi i Supremes u shpall i pavlefshëm dhe çështja u kthye për rishqyrtim.

Kontesti lidhej me ndryshimet që KPK-ja ka bërë në vitin 2025 në Rregulloren për Koordinatorin Kombëtar për Luftimin e Krimit Ekonomik. Me rregulloren e re, mandati i  koordinatorit u përcaktua trevjeçar me mundësi rizgjedhjeje edhe për  një mandat tjetër pas vlerësimit pozitiv të punës.

Prokurori Shqipdon Fazliu, i cili e ushtronte këtë funksion që nga viti 2013, kishte paditur KPK-në duke pretenduar se ndryshimet ishin bërë në mënyrë retroaktive dhe cenonin pozitën e tij. Gjykata Supreme e kishte aprovuar padinë dhe kishte shfuqizuar rregulloren e re.

Megjithatë, Gjykata Kushtetuese vlerësoi se Kushtetuta dhe Ligji për Këshillin Prokurorial nuk e obligojnë KPK-në të konsultohet me institucione të tjera për organizimin e brendshëm apo për caktimin e prokurorëve në pozita të caktuara. Sipas saj, KPK-ja gëzon pavarësi institucionale në këto çështje, për aq sa kohë sa vepron në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi,

 Gjykata po ashtu theksoi se posti i Koordinatorit Kombëtar nuk kishte mandat të përcaktuar qartë me legjislacionin e mëparshëm, prandaj vendosja e një mandati trevjeçar nuk mund të konsiderohej kufizim i një mandati ekzistues të garantuar me ligj.

Në përfundim, Kushtetuesja konstatoi se Gjykata Supreme kishte bërë interpretim dhe zbatim të gabuar të ligjit, duke mos përmbushur standardet e një gjykimi të drejtë. Për këtë arsye, ajo konstatoi shkelje të së drejtës për proces të rregullt gjyqësor dhe cenim të pavarësisë së Këshillit Prokurorial të Kosovës.