A u hodh mjeti shpërthyes në oborrin e shtëpisë së tij? Flet avokati nga Prizreni
Një mjet shpërthyes është hedhur mbrëmë pas mesnate, në oborrin e një personi në Prizren.
Rastin për IndeksOnline e ka konfirmuar zëdhënësi i policisë për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi, që pohoi se njësitet kompetente p merren me hetimet e nevojshme.
“Mbrëmë pas mesnate është raportuar për një shpërthim në një lagje te Prizrenit. Njësitet relevante kanë dalur në vendin e ngjarjes, aty ku dyshohet të jetë hedhur një mjet shpërthyes në oborrin e një shtëpie. Njësitet hetimore janë angazhuar në zbardhjen e plotë të rastit”, deklaroi Bytyqi.
Në disa media vendore u raportua se shpërthimi kishte ndodhur në oborrin e avokatit Betim Kadolli.
Ky i fundit pohoi për IndeksOnline se mjeti shpërthyes në fakt ishte hedhur në oborrin e fqinjit të tij.
“Po, kemi dëgjuar një shpërthim, por nuk ka ndodhur në shtëpinë time. Në oborrin e fqinjit ka ndodhë, por në shtëpinë time jo. Fatmirësisht në shtëpinë time jo, në oborrin e fqinjit me të cilin kemi shtëpitë ngjitur” tha Kadolli.
I pyetur nga IndeksOnline nëse mendon që cak i këtij sulmi ishte pikërisht ai, Kadolli tha: “Jo, nuk besoj që ka të bëjë me mua. S’i kam borgj askujt dhe askush nuk ka pse me ma sulmu shtëpinë. Sigurisht, njerëz të ligë që janë mësu me dëgju këso raste, kanë bërë një gjë të tillë”.

