Cakolli: Shpërndarja e mandateve mes partive do të ndryshojë
Eugen Cakolli nga KDI-ja deklaron se shpërndarja e mandateve mes partive do të ndryshojë.
Në një postim në Facebook, Cakolli u shpreh se trendët aktuale dhe numërimi i disa mijëra votave shtesë përkon me shtimin e mandateve për LVV-në.
“Gjasat janë që, në momentin e parë kur numri i mandateve të ndryshojë, LDK-ja të jetë partia që fillimisht e humb mandatin e 19-të. Megjithatë, deri në përfundim të numërimit të të gjitha votave me postë, bazuar në trendin e përgjithshëm dhe përqindjet sipas komunave, pak më shumë gjasa ka që në fund PDK-ja ta humbë mandatin e 22-të” deklaron Cakolli.
Ky është postimi i plotë i tij:
Kur kanë mbetur për t’u numëruar edhe disa dhjetëra kuti të votave me postë, tashmë është pothuajse e sigurt që shpërndarja e mandateve mes partive do të ndryshojë.
Sipas trendeve aktuale dhe me numërimin e edhe disa mijëra votave shtesë, Lëvizja Vetëvendosje do të kalojë në 53 mandate. Me shumë gjasë ky do të jetë edhe numri përfundimtar i ulëseve për këtë subjekt politik.
Ajo që mbetet ende e diskutueshme është se kujt do t’i merret ky mandat.
Gjasat janë që, në momentin e parë kur numri i mandateve të ndryshojë, LDK-ja të jetë partia që fillimisht e humb mandatin e 19-të. Megjithatë, deri në përfundim të numërimit të të gjitha votave me postë, bazuar në trendin e përgjithshëm dhe përqindjet sipas komunave, pak më shumë gjasa ka që në fund PDK-ja ta humbë mandatin e 22-të.
Pra, gara mes PDK-së dhe LDK-së për mandatin e fundit mbetet tepër e ngushtë. Dallimi në koeficientë mes tyre mund të përkthehet praktikisht në më pak se 100 vota në fund të procesit.
Kjo nënkupton se mandati i fundit do të mund të përcaktohet edhe nga votat me kusht, të cilat zakonisht ndjekin më shumë trendin e votimit brenda Kosovës – dhe kjo potencialisht mund ta favorizojë fare lehtë PDK-në. Në anën tjetër, AAK pritet përfundimisht të mbetet në 7 ulëse.
Me dinamikën e shtuar të punës në QNR, numërimi i votave me postë do të përmbyllet më së largu nesër paraditë, derisa votat me kusht deri nesër në mesnatë. Pastaj, në varësi të përqindjes së vendvotimeve (deri në 10% maksimum) që do të rinumërohen me vendim të KQZ-së, i tërë procesi i numërimit do të duhej të përmbyllej në fund të kësaj jave.

