Sa para të Iranit janë të ngrira nga SHBA dhe ku ndodhen ato?
Një draft-marrëveshje mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, e siguruar nga CNN, angazhon Washingtonin për t’i zhbllokuar asetet e Teheranit kur të arrihet një marrëveshje përfundimtare.
Irani fillimisht kishte kërmbëngulur që çdo marrëveshje të përfshinte lirimin e 24 miliardë dollarëve nga fondet e tij të ngrira. Një zyrtar amerikan i tha CNN-it të dielën se “asnjë fond i ngrirë nuk do të lirohet pa u i zbatuar iraninët angazhimet e tyre”.
Kërkesa për një transferim të garantuar dhe të menjëhershëm pasqyron mosbesimin e thellë të Iranit ndaj SHBA-së, i rrënjosur në dështimin e marrëveshjes bërthamore të vitit 2015 me Iranin, e arritur gjatë administratës Obama, sipas Frederic Schneider, bashkëpunëtor i lartë jo-rezident në Middle East Council.
“Një premtim për lehtësim të sanksioneve në të ardhmen ka shumë pak vlerë për Iranin, sepse çdo premtim i tillë mund të zhbëhet nga administrata e ardhshme, ose nga vetë Trump”, tha ai.
Ndërsa nuk ka një shifër të saktë publike për fondet e ngrira të Iranit, mediat dhe analistët iranianë vlerësojnë se ato variojnë nga 124 miliardë deri në 167 miliardë dollarë.
Schneider thotë se kjo shumë është afërsisht e barabartë me një të katërtën e prodhimit ekonomik të Iranit për vitin 2024.
CNN shkroi se çfarë dihet për vendndodhjen e një pjese të fondeve të ngrira të Iranit:
Katar: Në vitin 2023, 6 miliardë dollarë fonde iraniane të ngrira në Korenë e Jugut u transferuan në llogari në Katar si pjesë e një marrëveshjeje që siguroi lirimin e të burgosurve amerikanë të mbajtur në Iran. Sipas marrëveshjes, Iranit do t’i lejohej t’i përdorte fondet për blerje humanitare. Por CNN raportoi më vonë atë vit se SHBA-ja dhe Katari arritën një “mirëkuptim të heshtur” për të mos i lejuar Iranit qasje në këto fonde.
Oman: Më shumë se 10 miliardë dollarë të ardhura iraniane nga energjia elektrike, të mbajtura në llogari në Irak, u transferuan, sipas një përjashtimi të lëshuar nga administrata Biden, në llogari të kufizuara në Oman dhe vende të tjera. Sipas një dokumenti të seancës dëgjimore të Komitetit të Shërbimeve Financiare të Dhomës së Përfaqësuesve në vitin 2023, këto fonde mbeten subjekt i kufizimeve të sanksioneve.
Luksemburg: Sipas IRNA-së, 1.7 miliardë dollarë fonde iraniane dihet se janë të ngrira për shkak të sanksioneve.
Japoni: Irani ka kërkuar vazhdimisht lirimin e aseteve të tij financiare të mbajtura në Japoni. Sipas Reuters, këto fonde vlerësohen në rreth 1.5 miliardë dollarë.

