75 Mall Live Search
09:26 / E Enjte, 18 Qershor 2026 / KV

Dy persona humbën jetën si pasojë e aksidenteve në 24 orët e fundit

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se gjatë 24 orëve të fundit në vend janë regjistruar dy aksidente trafiku me fatalitet, 32 aksidente me persona të lënduar dhe 23 aksidente me dëme materiale.

Gjatë kësaj periudhe, zyrtarët policorë kanë shqiptuar gjithsej 2,420 tiketa trafiku për shkelësit e rregullave në komunikacion.

Njëri nga rastet me fatalitet ka ndodhur në fshatin Fushticë e Poshtme të Drenasit, rreth orës 09:00. Sipas policisë, një i mitur, derisa po drejtonte një veturë, dyshohet se nga pakujdesia ka shkaktuar vetaksident. Si pasojë e lëndimeve të rënda, ai është dërguar në QKUK, ku më vonë ka ndërruar jetë. Me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.

Ndërkaq, rasti i dytë ka të bëjë me një aksident të ndodhur më 15 qershor në fshatin Jabllanicë të Pejës, ku ishin përfshirë dy vetura dhe ishin lënduar tre persona.

Policia ka njoftuar se më 17 qershor ka ndërruar jetë njëra nga të lënduarat, një femër kosovare, e cila po trajtohej në Spitalin e Pejës. Për rastin janë njoftuar prokurori dhe Instituti i Mjekësisë Ligjore për veprimet e mëtejshme./IndeksOnline/