Policia shqiptare dhe ajo italiane thellojnë bashkëpunimin në luftën kundër krimit
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit në Shqipëri, Skender Hita, ka zhvilluar një takim me drejtues të lartë të Policisë italiane, ku është vlerësuar niveli i lartë i bashkëpunimit mes dy institucioneve në luftën kundër krimit të organizuar, trafikimit të narkotikëve, pastrimit të produkteve të veprës penale dhe kapjes së shtetasve në kërkim ndërkombëtar.
Në këtë takim morën pjesë Drejtori i Shërbimit për Bashkëpunimin Policor Ndërkombëtar të Policisë italiane, Lorenzo Bucossi dhe Drejtori i Shërbimit Qendror Operativ të Policisë së Shtetit italian, Marco Cali.
Sipas njoftimit të Policisë, në takim u vlerësua po ashtu edhe funksionimi I skuadrave të përbashkëta hetimore, në të cilën , policia shqiptare ka numrin më të madh të këtyre skuadrave me autoritetet italiane, tregues që dëshmon nivelin e lartë të besimit reciprok dhe efektivitetin e bashkëpunimit mes dy policive.
“Palët vlerësuan bashkëpunimin e suksesshëm për monitorimin ajror dhe goditjen e kultivimit të bimëve narkotike, model i cili ka dhënë rezultate të prekshme dhe është vlerësuar gjerësisht nga partnerët ndërkombëtarë.”, thuhet të njoftimin e Policisë së Shqipërsië.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme që autoritetet italiane i kanë dhënë Policisë së Shtetit në forcimin e punës dhe aftësive profesionale . Ai vlerësoi gjithashtu mbështetjen për Akademinë e Sigurisë përmes literaturës profesionale, shkëmbimit të përvojave dhe praktikave më të mira në edukimin policor.
Në fund të takimit, siç bëhet e ditur, palët riafirmuan angazhimin për forcimin e mëtejshëm të partneritetit strategjik, rritjen e shkëmbimit të informacionit dhe zhvillimin e iniciativave të reja të përbashkëta për përballimin e sfidave të sigurisë me karakter ndërkombëtar.

