75 Mall Live Search
16:03 / E Enjte, 18 Qershor 2026 / Z S

Gjendet një trup i dekompozuar në zonën malore mes Tiranës dhe Elbasanit, dyshohet të jetë i Eglant Koçit

Një trup i dekompozuar është gjetur këtë të enjte në zonën malore mes Tiranës dhe Elbasanit.

Dyshohet se trupi është i të riut, Eglant Koçi i zhdukur prej 4 qershorit.

Verifikimet e mëtejshme do të tregojnë nëse bëhet fjalë për 34-vjeçarin i cili dyshohet se u ekzekutua nga Armand Shaka pasi e rrëmbeu.

Dyshimet e deritanishme të hetuesve të Krimeve të Rënda në Policinë e Tiranës lidhen me një sasi parash digjitale që 34-vjeçari posedonte në aparatin e tij celular.

Kjo, siç shkruan Euronewsal, pistë po konsiderohet si një nga motivet kryesore që mund të ketë çuar në rrëmbimin e tij.

Sipas Policisë, si autor i dyshuar i rrëmbimit është Armand Shaka, 41 vjeç, i cili dyshohet se ka mbajtur peng Eglant Koçin.

Hetuesit po përpiqen të zbardhin nëse ai ka vepruar i vetëm apo me urdhër të personave të tjerë.

Nga veprimet hetimore është bërë e mundur gjetja e motomjetit të 34-vjeçarit, si dhe identifikimi i ambientit ku ai dyshohet se ka hyrë për herë të fundit.

Sipas provave të mbledhura deri tani, nga ky ambient ka dalë vetëm autori i dyshuar, i cili mendohet se mund ta ketë transportuar më pas 34-vjeçarin me automjet.

Kontrolle të shumta janë ushtruar në ambientin ku dyshohet se është mbajtur peng i riu, si dhe në zona të tjera.

Në kuadër të hetimeve është arrestuar edhe Enea Zyferi, 25 vjeç, i dyshuar për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”, pasi dyshohet se ka ndihmuar Armand Shakën pas ngjarjes.

Ndërkohë, automjeti me të cilin dyshohet se është transportuar Eglant Koçi është gjetur dhe sekuestruar si provë materiale.