75 Mall Live Search
07:43 / E Premte, 19 Qershor 2026 / Z S

Haziri: Vota qytetare kërkon bashkëpunim politik për formimin e institucioneve

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ka deklaruar se rezultati i zgjedhjeve ka krijuar një detyrim politik për bashkëpunim ndërmjet partive, me qëllim formimin e institucioneve të reja të vendit.

Në emisionin “Rubikon” në Klan Kosova, Haziri tha se rendi kushtetues dhe fryma e Kushtetutës së Kosovës kërkojnë bashkëpunim politik, pasi asnjë subjekt nuk ka marrë mandat të mjaftueshëm për të qeverisur i vetëm apo për të bllokuar proceset institucionale.

“Nëse nuk e bëjmë një rend, nëse nuk e respektojmë një rend kushtetues… kërkon bashkëpunim”, deklaroi Haziri.

Ai theksoi se demokracia parlamentare në Kosovë funksionon vetëm përmes bashkëpunimit ndërmjet partive politike.

“Vota qytetare konfirmon detyrim në bashkëpunim, nuk duhet të kemi politikë në raport me demokracinë parlamentare që ne e kemi zgjedhur, e kemi pjesë të sistemit politik, të jetës edhe të organizimit tonë dhe duhet ta respektojmë. Fryma jonë kushtetuese kërkon bashkëpunim, ne kemi vendosur shpirt Kushtetutës bashkëpunimin si çelës të ndërtimit të institucioneve”.

“Përfundimisht duhet të vlejë parimi i një marrëveshje gjithëpërfshirëse, ajo që quhet marrëveshje në pako, në parimin që nëse nuk ka marrëveshje nuk vlen asgjë, sepse kjo e prodhon këtë. Çdo ditë që presim është vonë. Me pas dalë LDK-ja parti e parë, ne me të 8-tin në mëngjes do t’i kishim ftuar palët për me ndërtu bashkëpunim institucional, nuk ke çka pret”, tha Haziri.