Pas Kamishit edhe Kryeziu kërkon rinumërimin e votave të kandidatëve të PDK-së
Kandidati për deputet nga Partia Demokratike e Kosovës, Qëndrim Kryeziu, ka paraqitur ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), duke kërkuar rinumërimin e plotë të votave të kandidatëve për deputet të kësaj partie.
Kryeziu ka thënë se kërkesa e tij në gjetjet që, sipas tij, kanë dalë nga procesi i deritanishëm i rinumërimit të zhvilluar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
“Përshëndetje miq, unë sot kam paraqitur ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), duke kërkuar rinumërimin e plotë të votave të kandidatëve për deputet të Partisë Demokratike të Kosovës. Kjo kërkesë nuk bazohet në supozime apo pakënaqësi me rezultatin e zgjedhjeve, por në fakte të konfirmuara nga vetë procesi i rinumërimit të zhvilluar nga KQZ”, ka shkruar ai.
Kryeziu tha se rinumërimi i 185 vendvotimeve ka nxjerrë në pah, sipas tij, pasaktësi në numërimin fillestar, duke shtuar se nga ky proces atij i janë shtuar 589 vota.
“Rinumërimi i vetëm 185 vendvotimeve, që përfshin rreth 3.52% të votave të PDK-së, dëshmoi se kishte gabime në numërimin fillestar. Edhe në këtë mostër të kufizuar, më janë shtuar 589 vota që nuk i kisha më parë. Duke u bazuar në këtë fakt, i bie 11.3% e votës së PDK-së, që i bie të kem mbi 22 mijë vota, andaj çdo votë ka rëndësi dhe çdo pasaktësi mund të ndikojë drejtpërdrejt në rezultatin përfundimtar”, ka deklaruar ai.
Sipas Kryeziut, vetëm një verifikim i plotë i të gjitha votave të kandidatëve të PDK-së mund të garantojë që mandati parlamentar t’i takojë kandidatit që ka marrë mbështetjen e qytetarëve.
“Për këtë arsye kam kërkuar që të rinumërohen të gjitha votat e kandidatëve të PDK-së që nuk janë përfshirë në rinumërimin e deritanishëm. Vetëm një verifikim i plotë mund të garantojë që mandati parlamentar t’i takojë kandidatit që ka fituar besimin e qytetarëve dhe që çdo votë të numërohet saktë”, ka thënë ai.
Ai ka kërkuar që ankesa e tij të trajtohet në mënyrë të paanshme nga PZAP-i, duke vlerësuar se integriteti i procesit zgjedhor varet nga transparenca dhe saktësia e numërimit.

