Prishtina nderon shkrimtarin Ben Blushi, romani që trazoi opinionin fiton çmimin “Autori i Vitit”
Ben Blushi është shpallur “Autori i Vitit” në Panairin e Librit në Prishtinë për romanin “Jam Mysliman”, një vepër që ka ngjallur debat të gjerë publik dhe që u vlerësua nga juria për guximin letrar dhe trajtimin e temave të identitetit, fesë dhe shoqërisë.
Shkrimtari i njohur shqiptar Ben Blushi është vlerësuar me çmimin special “Autori i Vitit” në kuadër të Panairit të Librit në Prishtinë, falë suksesit të romanit të tij më të fundit, “Jam Mysliman”.
Juria e përbërë nga kritikë letrarë, shkrimtarë dhe poetë e vlerësoi Blushin për stilin e tij të veçantë narrativ, si dhe për guximin në trajtimin e temave të mëdha që lidhen me identitetin, fenë dhe shoqërinë, tema që prej kohësh kanë zënë vend në letërsinë botërore.
Ben Blushi numëron një karrierë të gjatë në jetën publike shqiptare si publicist, politikan dhe autor. Ai ka botuar mbi dhjetë romane dhe ese politike, mes të cilave spikasin tituj të njohur si “Të jetosh në ishull”, “Otello, Arapi i Vlorës” dhe “Komploti”.
Romani “Jam Mysliman”, i botuar së fundmi, ka tërhequr vëmendje të gjerë te lexuesit dhe kritika, duke shitur mijëra kopje brenda pak muajsh dhe duke nxitur diskutime e polemika në opinionin publik.
Gjatë ceremonisë së ndarjes së çmimeve, Blushi u shpreh se libri i tij i fundit i ka sjellë jo pak përplasje dhe debate, por theksoi se vepra duhet parë si letërsi dhe jo si një manifest apo traktat politik.
“Jam Mysliman” rrëfen historinë e një shkrimtari ateist, i cili, përballë presionit të komunitetit islamik në lagjen ku jeton, vendos të konvertohet në mysliman, duke hapur një debat të gjerë mbi lirinë individuale, identitetin dhe raportin mes individit dhe komunitetit.

