Vonesa, tejkalime kostosh dhe dobësi në menaxhimin e kontratave në MD
Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka publikuar raportin e auditimit për Pasqyrat Financiare Vjetore të Ministrisë së Drejtësisë për vitin 2025, duke dhënë opinion të pamodifikuar për pasqyrat financiare, por duke identifikuar një sërë mangësish dhe dobësish në menaxhimin e projekteve, kontratave dhe evidencave financiare.
Sipas raportit, një nga gjetjet kryesore lidhet me projektin “Renovimi i Kulmit të Institutit të Mjekësisë Ligjore”, me vlerë 814,229 euro, i cili nuk ishte përfunduar brenda afateve kontraktuale. Auditimi konstatoi se disa pozicione të punimeve ishin realizuar përtej sasive të parapara në kontratë, duke krijuar tejkalime financiare prej 31,748 eurosh vetëm në tri pozicione të veçanta të projektit.
Raporti evidenton gjithashtu dobësi në përdorimin e procedurës së negociuar pa publikim për furnizime higjienike në vlerë prej 119,497 eurosh. Edhe pse procedura ishte arsyetuar me nevoja emergjente, furnizimi nuk ishte realizuar brenda afatit të kontraktuar prej tri ditësh, por me vonesa deri në 15 ditë, ndërsa nuk ishin aplikuar masat ndëshkuese të parapara me kontratë.
Auditorët kanë gjetur edhe pasaktësi në paraqitjen e detyrimeve kontingjente. Dy lëndë të mbyllura me vlerë totale 29,421 euro vazhdonin të figuronin në evidenca, ndërsa në raste të tjera detyrimet ishin regjistruar gabimisht, duke rezultuar me mbivlerësim prej 373,766 eurosh dhe nënvlerësim prej 56,000 eurosh. Sipas raportit, këto pasaktësi ndikojnë në besueshmërinë dhe saktësinë e informacionit financiar të paraqitur nga ministria.
Një tjetër gjetje ka të bëjë me zbatimin e kushteve kontraktuale. Në tri raste të veçanta, Ministria e Drejtësisë nuk kishte aplikuar penalitete ndaj operatorëve ekonomikë pavarësisht vonesave në realizimin e furnizimeve dhe punimeve. Auditimi vlerëson se kjo rrit rrezikun që kontraktorët të mos respektojnë afatet dhe dëmton menaxhimin efektiv të kontratave publike.
Po ashtu, auditimi gjeti se Instituti i Mjekësisë Ligjore nuk kishte përfunduar procesin e klasifikimit dhe grupimit të pozitave të punës, megjithëse afati ligjor kishte kaluar prej kohësh. Si pasojë, gjatë vitit 2025, dhjetë pozita udhëheqëse vazhdonin të mbuloheshin me ushtrues detyre.
Në fushën e menaxhimit të pasurisë, ZKA konstatoi se regjistri i pasurive kapitale ishte nënvlerësuar për 35,137 euro, pasi dy investime kapitale nuk ishin regjistruar në sistemin përkatës gjatë vitit raportues.
Raporti thekson se Ministria e Drejtësisë ka shpenzuar rreth 82 për qind të buxhetit final prej mbi 54 milionë eurosh gjatë vitit 2025, ndërsa auditorët kanë dhënë gjithsej gjashtë rekomandime për përmirësimin e kontrollit të brendshëm, menaxhimit të kontratave, evidencave financiare dhe pasurive publike./KosovaPress

