75 Mall Live Search
18:00 / E Diele, 21 Qershor 2026 / F.R

Petritsch: Kosova po e teston durimin e BE-së

Diplomati austriak, Wolfgang Petritsch në një intervistë ekskluzive për emisionin “Info Magazine”, ka theksuar se Kosova nuk i ka fare punët mirë me Brukselin.

Sipas tij, Kosova po teston limitet e durimit të Bashkimit Evropian.

“Duke folur me disa njerëz nga Brukseli që rishtazi mbajtën takim vjetor në Vjenë të Këshillit Evropian për Punë të Jashtme, dhe zyrtarët e Brukselit janë fort të shqetësuar. Ju mund ta vëreni që Kosova tani Kosova po i teston limitet e durimit të Bashkimit Evropian. Ju nuk mund të vazhdoni kështu përgjithmonë”, tha ish-përfaqësuesi i Posaçëm i BE-së për Kosovën.

Pos tjerash, Petritsch theksoi se pesë shtetet mosnjohëse të BE-së janë edhe më larg pranimit të Kosovës, sipas tij, sesa një vit më parë.

“Më lejoni të ju them diçka. Pesë shtetet anëtare të Bashkimit Evropian që janë vende mosnjohëse për Kosovën, dhe unë jam në kontakt konstant me zyrtarë me këto vende, dhe ata janë larguar më tutje për ta pranuar Kosovën sesa ishin para një viti, apo një viti e gjysmë. Kjo është shenjë e keqe për Kosovën”, u shpreh ai.

Diplomati theksoi shpresën se Kosova duhet të ketë një president/e që mendon me të vërtetë për mbështetjen e Kosovës dhe popullit të saj.